“Në muzikën e shqiptarëve ndihet pasioni”, kështu shkruante në një nga letrat e shumta dërguar nënës kompozitori i shquar sllovak, Bojan Adamiç.
Bashkë me ambasadorin e Sllovenisë në Tiranë, z. Peter Japelj, biseduam për të sjellë në shqip një libër dedikuar jetës së një prej figurave të rëndësishme të muzikës europiane, përmes kujtimeve dhe letërkëmbimeve të përvojës së tij në Shqipëri, një ide kjo e Ministres së Kulturës, znj. Elva Margariti.
I larguar nga vendi i tij për shkaqe ideologjike menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Adamiç mbërriti në Shqipëri më 4 maj 1947, ekzaktësisht 75 vite më parë. Gjatë qëndrimit të tij, ai i njohu shumë mirë kulturën, traditat dhe folkun e vendit tonë. Në vitet 1947-1948, Bojan Adamiç bashkëpunoi me orkestrën e Radio Tiranës, punoi me muzikë shqiptare dhe mbajti koncerte pianoje.
“Shqipëria ka qenë pjesa sekrete e jetës së babait tim. Ai i shkroi nënës sime 25 letra, ku i tregonte se sa e bukur ishte Shqipëria dhe duke e ftuar te vinte këtu. Nëna nuk mund të vinte sepse nuk kishte pasaportë. Ndaj jam e lumtur që jam këtu bashkë me tim bir, duke ndjekur gjurmët e babait tim. Ai i vlerësonte vallet shqiptare. Sipas tij, ishin pa koreografi, por pasioni dhe qëndrimi i valltarëve ishin fisnik dhe entuziazmues”, do të shprehej e bija e tij, Alenka Adamic.
Ambasadori Japelj I dhuroi Drejtoreshës së QKLL-së romanin e një prej autorëve të rëndësishëm të letërsisë sllovake “Atë natë e pashë”, ardhur në shqip nën përkthimin e Nikollë Berishaj, e botuar nga “Dituria”, duke ndarë lajmin e bukur që ky autor do të jetë I pranishëm në Panairin e Librit në nëntor për një takim me lexuesit shqiptar.