Aktivitete, Të rejat|

Kujtojmë sot me nderim në 100-vjetorin e lindjes, shkrimtarin Jakov Xoxa.
Ai lindi në Fier, më 15 prill 1923 dhe u nda nga jeta më 28 prill 1979, duke lënë pas një krijimtari të pasur romanore. Vepra e tij më e njohur është romani “Lumi i vdekur”, botuar më 1964-n në Tiranë, një vepër që vijon të jetë në fokus të kritikës për narracionin dhe realizmin që mbart.
Jakov Xoxa është nga romancierët më në zë të gjysmës së shekullit 20. Në krijimtarinë e tij letrare ai individualizohet me parimin krijues-realist: fati individual do të jetë ai që do të hedhë dritë mbi kontestin tërësor të mjedisit dhe të kohës së fokusuar në rrëfime.
Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1949, “Buçet Osumi”, dramë, 1956, “Zemra”, dramë, 1958, “Novela”, përmbledhje shkrimesh, 1958, “Lumi i vdekur”, roman, 1964, “Juga e bardhë”, roman, 1971, “Lulja e kripës”, roman.
Në foto ai është krah gruas së jetës Dhurata Xoxe, e njohur për punën e saj në botimet shqipe të kohës, me të cilën u njohën përgjatë një udhëtimi me anije dhe u dashuruan e jetuan bashkë gjithë jetën. Së shpejti familjarët do të botojnë kujtimet e lëna në dorëshkrime të Dhuratës, një ftesë për ta njohur më mirë figurën e shkrimtarit.
Një kujtesë për shkrimtarin Jakov Xoxa, në 100-vjetorin e lindjes.
Prof. Bashkim Kuçuku, prof. Floresha Dado, i biri Agron Xoxa, shkrimtarët Primo Shllaku, Diana Çuli, kritiku Behar Gjoka, e të tjerë të pranishëm, ndanë kujtime dhe vlerësime për kontributin e Xoxes në letrat shqipe.

Comments are closed.

Close Search Window