Arshi Pipa, një prej personazheve komplekse të kulturës shqiptare, shënon sot 101-vjetorin e lindjes. Në këtë ditë kujtese për një prej figurave të rëndësishme të mendimit shqip, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit sjell për lexuesin veprën e tij “Politikë dhe letërsi: Paradigma Gramsci”, nga botimet “Princ”, një studim i koncepteve, veprës dhe jetës së një figure të lartë intelektuale si Antonio Gramsci-t. Vepra është lënë në dorëshkrim nga Pipa në anglisht , si një vepër “gati për botim”, por pa mundur të botohet deri sot. Nga leximet që i janë bërë tekstit, mendohet se mund të jetë përfunduar rreth viteve 1985-1986. Vepra ka ardhur në shqip nën përkthimin e Majlinda Bashllarit. Vetë Pipa tregon zgjerimin e interesit të tij ndaj Gramsci-t, i cili fillimisht ka qenë i kufizuar vetëm për kritikën letrare. “Qasja ime letrare ndaj mendimtarit të Sardenjës dhe liderit të Partisë Komuniste italiane, gradualisht u zgjerua në përfshirjen e veprës së tij të plotë. Ky libër është rezultat i dy dekadave mësimdhënieje dhe studimi, periudhë gjatë së cilës mahnitja ime e fillimit ia la vendin një vlerësimi më të kthjellët dhe objektiv të figurës së tij si një mendimtar e lider marksist”, shkruan vetë Pipa në parathënie.
Por korpusi i veprës së Pipës është mjaft i gjerë, duke krijuar nga larg një institucion të kritikës letrare shqipe, një shkollë mendimi.
Po sot Arshi Pipa u kujtua përmes një takimi kujtese organizuar nga QKLL dhe Muzeu Historik Kombëtar; ku vepra e tij erdhi nën optikën e studiuesve: Sadik Bejko, Behar Gjoka, Ermir Nika, Dorian Koçi
I pranishëm ishte dhe nipi i tij Plator Kalakulla.