Statusi i Poetit Laureat

Çmimi “Poeti Laureat” është vlerësimi më i lartë profesional që i jepet një shkrimtari me kontribut të spikatur në fushën e poezisë. Procedurat e përzgjedhjes së kandidatit për këtë titull variojnë nga vendi në vend, por funksioni i tij është kudo i njëjtë: ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë e leximit dhe shkrimit të poezisë.

Për herë të parë, Shqipëria ka përzgjedhur një “Poet Laureat”, për një mandat dyvjeçar. Procesi i përzgjedhjes u realizua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe “Poeti Laureat” u emërua prej një Komiteti Drejtues i përzgjedhur nga QKLL-ja, i përfaqësuar nga personazhe të rëndësishme të botës së letrave.

Qëllimi i përzgjedhjes së “Poetit Laureat” është ndërgjegjësimi i publikut mbi rëndësinë e poezisë dhe përsosjen e një tradite poetike. “Poeti Laureat” ndërton strategjinë personale për ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e lëvrimit dhe leximit të poezisë shqipe. Ky vlerësim organizohet nën kujdesin e QKLL-së një herë në dy vjet. “Poeti Laureat” është një personalitet me botime, i cili vlerësohet në bazë të një vepre poetike me arritje në letërsinë shqipe në vitet e fundit. Fituesi dorëzon brenda një muaji nga marrja e çmimit, një projekt konkret pranë QKLL-së, në kuadër të të cilit pasqyrohet angazhimi i tij në rritjen e ndërgjegjësimit për leximin dhe shkrimin e poezisë në vend. Gjatë mandatit dyvjeçar, “Poeti Laureat” realizon hartimin e një antologjie me poezinë në fokus, duke e zgjedhur ai vetë tematikën.

Baza Ligjore

Statusi ligjor i “Poetit Laureat” i referohet VKM-së Nr. 24, datë 16.01.2019 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit”, paragrafit III, pika a, ku thuhet: “QKLL-ja harton programet dhe financon projektet në fushën e librit”; Vendimit Nr. 14 të Kolegjiumit mbi projektin “Poeti Laureat”, si edhe politikave të QKLL-së për mbështetjen e procesit krijues në gjininë e poezisë.

Fondi mbështet “Poetin Laureat” financiarisht, shërben edhe si orientim për shtëpitë botuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim bashkëpunimin për të promovuar poetët shqiptarë.

“Poeti Laureat” përzgjidhet mes kandidatëve që lëvrojnë zhanrin e poezisë shqipe, nga të cilët juria zgjedh “Poetin Laureat”, bazuar te kriteret e mëposhtme:

– të jetë emër i njohur dhe me kontribut letrar në poezinë shqipe;

– të ketë botuar të paktën tri vepra poetike;

– të jetë i përkthyer të paktën në një gjuhë të huaj;

– të ketë botuar të paktën një vepër poetike gjatë dy viteve të fundit.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit harton të gjitha aspektet e kontratës me jurinë dhe fituesin, kundrejt të gjitha kritereve dhe rregullave të bashkëpunimit të ndërsjellë deri në shpalljen e fituesit.

Detyrimet e “Poetit Laureat”

  1. “Poeti Laureat” do të ndërtojë strategjinë personale të promovimit të vlerave të poezisë gjatë një mandati dyvjeçar dhe do të realizojë hartimin e një antologjie me poezinë në fokus, duke e zgjedhur ai vetë tematikën.
  2. Krijimtaria letrare poetike, mes së cilës përzgjidhen veprat dhe autorët për t’u vlerësuar, duhet të jetë në formë të shtypshkruar, d.m.th. e botuar brenda territorit të vendit, nga persona fizikë apo juridikë që ushtrojnë veprimtari në fushën e botimit në territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.

 Shpërblimi i fituesit të çmimit “Poeti Laureat”

  1. Fituesit të çmimit “Poeti Laureat” i jepet një trofe, certifikatë dhe një shumë financiare.
  2. Certifikatat nënshkruhen nga juria dhe drejtori i QKLL-së.

Shuma financiare jepet nga fondi buxhetor i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, i parashikuar për financimin e projekteve dhe veprimtarive kulturore

Comments are closed.

Close Search Window