Çmimi Poeti Laureat u krijua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, për herë të parë në Shqipëri.
Besnik Mustafaj është shkrimtar shqiptar, një zë i njohur në fushën e letërsisë, autor i disa vëllimeve me poezi dhe prozë, i vlerësuar me çmimin Mesdhetar për letërsi më 1997. Me një përvojë disavjeçare si diplomat, përkthyes, pedagog, etj. veprat e tij janë të botuara në shumë gjuhë si shqip, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht etj. Mustafaj ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi me librin e tij “Daullja prej letre” më 1997.
Agim Baçi
Agim Baçi është kritik, eseist dhe gazetar, autor i disa librave me ese. Ka kryer studimet e larta dhe të ciklit master në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Është autor i librit me poezi “Ag”, i novelës “Gabime të domosdoshme”, i studimit “Përse e sollën Doruntinën?”. Më 2008, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, nderohet “Don Kishot në Letërsi” nga Ambasada Spanjolle, për esenë më të mirë, “Letër Dylqinjës së Tobozës”. Aktualisht është editorialist në gazetën “Panorama”. Prej vitesh është pedagog i lëndës “Psikologji Leximi” në Universitetin Publik.
Agron Gjekmarkaj
Agron Gjekmarkaj është Pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në UT. Ai ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për Gjuhë-Letërsi në UT dhe më 2005 është diplomuar në specialitetin Teori Letërsie në Fakultetin e Letërsi‐Filozofisë pranë Universitetit “La Sapienza”, në Romë, me vlerësimin “Shkëlqyeshëm”.
Me një përvojë të gjatë si kryeredaktor dhe editorialist në disa të përditshme shqiptare Gjekmarkaj ka kryer një sërë botimesh duke përmendur “La letteraura fantastica di Kadare” botuar në vitin 2012, “Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët” në 2009 si dhe një kritikë dhe publicistikë me titullin “Reaksionari” e botuar më 2015.
Këshilltar i Ministrit të Kulturës për politikat kulturore dhe më pas Drejtor i Drejtorisë së Arteve dhe Letrave pranë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Tiranë, ai ka qenë anëtar i jurisë së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë pranë kësaj Ministrie, anëtar i Këshillit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare. Aktualisht është anëtar i Autoritetit të Mediave Audiovizive më datë.
Arlinda Dudaj
Arlinda Dudaj është drejtuese e Shtëpisë Botuese Dudaj, një emër i njohur në fushën e botimeve, pedagoge pranë Fakultetit të Gjuheve të Huaja (Departamenti i Gjuhës Gjermane) përkthyese dhe redaktore letrare. Ka kryer studimet e larta në Universitetin Sapienza i Romës.
Ajo është bashkë-themeluese e “Shoqata Shqiptare e Librit” së bashku me Ardian Klosi dhe aktualisht shërben si kryetare të organizatës.
Viola Isufaj
Viola Isufaj është pedagoge në UT, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, mban titullin Prof.As. Dr., autore e një numri të madh artikujsh shkencorë dhe e disa titujve në prozë, “Zotit M., një letër” (me parathenie nga Ismail Kadare), “Saga e Gjarprit”, “Ditë të askujt” dhe vellimin poetik “Adamah”. Isufaj është autore e veprave studimore “Rikthimi i mitit”, “Mjegullat e Tiranes” (kritika “Para kohes”), “Kadare ne letrat e sotme franceze”, si edhe autore e teksteve universitare dhe parauniversitare.
Jetëshkrimi i Rudolf Markut
Lindur në vitin 1952 në Lezhë, Rudolf Marku është shkrimtar e publicist shqiptar.
Rudolf Markun e kanë renditur si njërin nga poetët më të talentuar të gjuhës shqipe. Ka botuar shtatë vëllime poetike, si edhe romanin Allahland. Ka përkthyer në shqip T. S. Eliot, Ezra Pound, W. Oden, K. Kavafis, Xh. Ungaretin dhe shumë autorë të tjerë të njohur të shekullit XX. Ka meritën t’i ketë prezantuar për herë të parë lexuesit shqiptar shumë autorë të huaj të konsideruar të ndaluar.
Në vitet e fundit, Rudolf Marku ka botuar romanet Allahland, dheKësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës. Për Allahland, ka shkruar një vlerësim tepër pozitiv revista e mirënjohur akademike, e cila botohet në Texas,Dallas Translation Magazine. Romani është nderuar me çmimin PEN, si romani më i mirë për vitin 2012. Përmbledhja e fundit poetike Një ballkanas në Londër, ka fituar çmimin “Penda e Argjendtë”, si libri më i mirë poetik për vitin 2012 .
Në vitin 2014 boton përmbledhjen me ese Një letër që na vjen pas vdekjes, një prej librave eseistikë më të realizuar artistikisht, një libër që shquhet nga erudicioni i thellë dhe mendimi bashkëkohor filozofik. Libri është pritur shumë mirë nga kritika dhe lexuesit. Për romanin e tij, Tre divorcet e zotit Viktor N., Rudolf Marku u shpërblye me çmimin “Kadare” në vitin 2015, i pari shkrimtar shqiptar që e merr këtë çmim. Marku mbetet një ndër autorët më aktivë e më të pranishëm në letërsinë shqipe. Është nderuar me çmimin e “Poezisë europiane” në Berlin në vitin 2007, me çmimin “Naim Frashëri”, për vitin 2012 në Tetovë dhe Prishtinë; me çmimin“At Zef Pllumi”, për librin poetik me çmimin PEN dhe me çmimin“Penda e Argjendtë”, akorduar nga Ministria e Kulturës, për vitin 2012.
Në vitin 2018, Marku boton antologjinë e përmbledhjeve të poezive të zgjedhura botërore Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme… me poezi që nga Safo, Kalimaku, Catullus, Sextus Propertius e deri te Bodleri, Jul Laforgu dhe bashkëkohësit Ted Hughes, Sylvia Plath, Josef Brodskey.
Në vitin 2020, Rudolf Marku boton librin poetik Rrathë të brendashkruar, një libër i pritur shumë mirë nga qarqet letrare. Poezitë e Markut janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës, duke u përfshirë në disa antologji prestigjioze të botës.