Për promovimin e leximit, në #tetorinelibrit, Shtëpia Botuese DITURIA, në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Kinë dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, organizoi sot në QKLL një takim me Senatin e shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Letërsia dhe kultura kineze, botimet në shqip nga kjo letërsi dhe botimet e ardhshme, ishin tema e një bisedë interesante me botuesin e Diturisë, Petrit Ymeri, përkthyesit e kësaj letërsie, Xhimi Lazri dhe Iljaz Spahiu, dhe nxënësit dhe mësueset e shkollës.
Duke folur për rëndësinë e librit dhe leximit në formimin e të rinjve, Z. Ymeri vuri në dukje se letërsia kineze e përkthyer dhe e botuar nga Dituria vitet e fundit, është jo vetëm një letërsi e mrekullueshme, me histori emocionuese dhe optimiste, por shërben edhe si një mënyrë për të njohur një vend te madh si Kina dhe popullin e saj.
Iljaz Spahiu, përkthyes nga kinezishtja por edhe drejtues i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, iu përgjigj pyetjeve të panumërta të nxënësve, jo vetëm për letërsinë kineze, për gjuhen kineze (a është shume e vështirë për t’u mësuar) por edhe për botën kineze.
Xhimi Lazri, përkthyes i disa librave nga kjo letërsi, foli për vlerat, mesazhet, por edhe argëtimin që fëmijët dhe të rinjtë do të gjejnë duke lexuar libra të tillë si “Maçoku persian i quajtur Pek” nga Gao Hongbo, “Po vjen kushëriri” nga Çin Wenjum, “Sekreti i luleshtrydheve të ëmbla” nga Tang Sulan, “Ne vigjilje te Krishtlindjes” nga Huang Beijia dhe “Zogu aromatik” nga Jin Bo. Për lexuesit e vegjël, Shtëpia Botuese “Dituria” ka botuar edhe një seri prej katër librash me titull “Librat e stinëve”, të cilët, nëpërmjet një rrëfimi tradicional e origjinal, shoqëruar me ilustrime të bukura, me një gjuhë të thjeshtë përcjellin njohuritë në nivel fëmijëror për muajt e stinët e vitit dhe punët që kryhen në to.
Për letërsinë kineze dhe vlerat e saj si një urë shkëmbimi kulturor mes dy vendeve, foli edhe drejtorja e QKLL, Alda Bardhyli.
Një falënderim i veçantë për dy mësueset e shkollës “Fan Noli”, Eni Mesin dhe Alma Kolën.