Majlinda Toçi – Kryetare

Drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, studiuese dhe eksperte në fushën e bibliotekonomisë, të menaxhimit të informacionit dhe të trashëgimisë dokumentare.

Me mbi njëzet vjet përvojë në sektorin e librit, të botimit dhe të institucioneve të kujtesës, ka udhëhequr procese të rëndësishme të modernizimit të bibliotekave, zhvillimit të koleksioneve, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare. Veprimtaria e saj profesionale dhe shkencore përqendrohet në bibliotekonomi, shërbimet e informacionit, transformimin digjital, inteligjencën artificiale në biblioteka, qasjen në dije dhe ruajtjen e trashëgimisë dokumentare.

Është autore e botimeve dhe studimeve në fushën e bibliotekonomisë, lektore në Shkollën Kombëtare të Bibliotekonomisë dhe pjesëmarrëse e rregullt në konferenca shkencore e profesionale ndërkombëtare. Përfaqëson Shqipërinë në organizata, rrjete dhe forume ndërkombëtare të bibliotekave, duke kontribuar në nisma që lidhen me transformimin digjital, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

 

Vasil Tole – Anëtar

Kompozitor, muzikolog dhe etnomuzikolog me njohje kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Mban gradën Doktor i shkencave (1994), titullin Profesor (2004) dhe titullin Akademik në fushën e muzikës.

Fitues i disa prej çmimeve më të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare në krijimtarinë muzikore. Përfaqësues emblematik, me rol prej promotori në zhvillimet e muzikës në Shqipëri dhe jashtë saj në tri dekadat e fundit, në kushtet e shoqërisë së lirë. Është autor i mbi 20 librave studimorë dhe i dhjetëra artikujve shkencorë të botuar në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera dhe përurues në fushën e muzikologjisë dhe etnomuzikologjisë.

Jeta dhe krijimtaria e tij janë trajtuar në botimet shumë të rëndësishme europiane e botërore si MGG-Die musik in geschieschte und gegenvart, the biographical encyclopedia in 17 volumes, Barenreiter, Gjermani (2009); The Harvard dictionary of music (by Michael Randel, Harvard University Press Reference Library, November 2003); The New Grove Dictionary of Music and Musicians (second edition, by George Leotsakos, 2001, London Macmillan-2001), “Albanian Encyclopaedia Dictionary” etj.

 

Alban Reli – Anëtar

Kërkues shkencor pranë Universitetit Europian të Tiranës. Ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare për arte të bukura, gjuhë të huaja, gazetari radio-televizive dhe për shkenca sociale dhe të sjelljes dhe mban gradën Doktor i shkencave. Ka dhënë mësim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, si pedagog i gjuhës hebraike dhe i gjuhës arabe.

Është autor i disa publikimeve shkencore në fushën e medias, analizës së ligjërimit, politikës së jashtme dhe studimeve mbi totalitarizmin, si dhe është i përfshirë në projekte dhe rrjete ndërkombëtare kërkimore-shkencore të Bashkimit Europian. Krahas angazhimit akademik, ka dhënë një kontribut të veçantë edhe në fushën e përkthimit letrar: ka përkthyer disa vepra letrare nga hebraishtja, si Djali me Biçikletë, nga Eli Amir – vepra e parë e literaturës e përkthyer nga hebraishtja në shqip; Vetëm një natë Markoviç, nga Ayelet Gundar Goshen; Fotoja që na shpëtoi jetën, nga Maya Klinger Kohen; Diell Maqedonas, nga Efrat Baruch Altaraz, etj.

Gjithashtu, ai ka sjellë nga arabishtja në shqip, vepra letrare të zhanreve të ndryshme, si Nuk vajtoj më (eseistikë) dhe E njoh mirë fytyrën e dëshpërimit (përmbledhje me poezi) nga Hatem Alshehri; Pema e Harlisur (roman) nga Umaima al-Khamis; Shtëpia dhe palma (roman) nga Affaf Tobbala, etj.

 

Irena Prici – Anëtare

Mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Politikave të Zhvillimit për Artin, Kulturën dhe Rininë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ku prej 20 vjetësh punon me përkushtim për të avancuar projektet që promovojnë artin dhe kulturën, si dhe për të mbështetur artistët dhe krijuesit shqiptarë.

Është diplomuar në “Shkenca Komunikimi”, “Administrim Publik” dhe në “Gjuhë-Letërsi” nga Universiteti i Tiranës. Ka njohuri të thella mbi strategjitë e komunikimit dhe menaxhimin e marrëdhënieve me publikun, që i kanë shërbyer për të ndërtuar ura komunikimi efektive midis institucioneve kulturore dhe audiencës.

Ka marrë pjesë në shumë trajnime dhe aktivitete që promovojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u angazhuar për të sjellë praktikat më të mira dhe standardet ndërkombëtare në menaxhimin kulturor. Si pjesë e ekipit të programit të “Javëve Kulturore Ndërkombëtare”, “Culturalb” dhe pjesë e stafit organizator të festivaleve folklorike në Gjirokastër, ka punuar për të lidhur kulturën shqiptare me audienca më të gjera, duke promovuar bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe fuqizimin e Diplomacisë Kulturore.

 

Shezai Rrokaj – Anëtar

Profesor i gjuhësisë teorikë dhe Filozofisë së gjuhës në departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ka kryer studimet universitare në Bordeaux III dhe Jussieu, Paris 6, si dhe studime pasuniversitare në Sorbonne 3, Paris.Gjatë karrierës ka kryer funksione të ndryshme akademike në Universitetin e Tiranës, si: Përgjegjës departamenti, Dekan, Rektor dhe, për një periudhë të shkurtër, ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qenë gjithashtu profesor në Universitetin e Kalabrisë, si dhe ka mbajtur ligjërata në shumë universitete brenda dhe jashtë vendit.

Shezai Rrokaj është zgjedhur anëtar i AIMAV (Organizatë konsulence pranë BE-së për çështjet e politikave gjuhësore si dhe ka qenë anëtar i jurisë për Çmimet Kombëtare në Letërsi, të organizuara nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.Për shumë vite ka qenë bashkëdrejtues i Seminarit të Prishtinës “Për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare” si dhe bashkëkoordinator i Seminarit të Tetovës.Shezai Rrokaj është vlerësuar me titullin e nderit “Personalité francophone du multilinguisme”; me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti Ismail Qemali, Vlorë.

Ai ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare; është autor i dhjetëra artikujve shkencorë në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit; ka botuar disa monografi, tekste universitare e parauniversitare si dhe libra të tjerë mes të cilëve: Çështje të gjuhës shqipe 1, 2, 3, 4, 5; Strukturalizmi klasik në gjuhësi; Hyrje në gjuhësinë e përgjithshme; Filozofi e gjuhës, prej Antikitetit deri në ditët tona; Fjalor i termave të gjuhësisë në shqip, italisht, frëngjisht, anglisht (bashkautor me G. Belluscio); Fjalor i gjuhës shqipe 12+, (bashkautor me Anila Kananaj); Fjalor i gjuhës shqipe 5-11, (bashkautor me Anila Kananaj); Çështje të politikave arsimore në Shqipëri; Ëndrra e një sfide; Politika si mendësi ndryshimi; 100 vjet pavarësi e Shtetit Shqiptar: Dokumente arkivore për gjuhën, (bashkautor); Fjalor i Madh i Gjuhës Shqipe (bashkautor, hartues redaktor dhe zëvendëskryeredaktor). Shezai Rrokaj është gjithashtu bashkautor i Abetares së parë mbarëkombëtare si dhe shumë librave të gjuhës shqipe dhe teksteve për mësuesit në sistemin parauniversitar.

Comments are closed.

Close Search Window