Aktivitete, Të rejat|

“Ditari i një udhëtimi”

Roberto Ferrucci VS shkrimtarët që do të shkruajnë të ardhmen e letrave shqipe

Një ide e QKLL, e mirëpritur dhe e bërë realitet nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, ofroi një përvojë për t’u shënuar për autorët e rinj, fitues të Fondit të Krijimtarisë Letrare pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Me temën “Ditar udhëtimi”, nën udhëheqjen e shkrimtarit italian, Roberto Ferrucci, të rinjtë e letrave shqipe zhvilluan në sallën italiane të Qendrës “Sotir Kolea” pranë Bibliotekës Kombëtare një workshop dyditor.

I përqendruar te rrëfimi i udhëtimit, ky aktivitet e trajtoi shkrimin si një mjet për të treguar vende, takime dhe përvoja jetësore. Përmes ushtrimeve praktike dhe bashkëbisedimit të hapur, pjesëmarrësit eksploruan mënyrën se si kujtesa dhe përjetimet personale mund të shndërrohen në material të mirëfilltë letrar.

Përveç teknikave të ndërtimit të një narrative, një hapësirë e veçantë iu dedikua rrugëtimit të një vepre nga ideja te botimi, mundësive dhe marrëdhënies që krijuesi vendos me materialin e tij dhe me lexuesin.

Për më tepër, Ferrucci shprehu interes për të njohur më shumë lidhur me veprat e botuara të autorëve pjesëmarrës, të cilëve u krijoi mundësinë e një komunikimi në vijim.

QKLL falënderon:

  • Autorët pjesëmarrës: Suad Arilla, Behar Jacaj, Flori Kasaj, Fatma Memalli, Enis Ismaili, Antonio Çikollari, Xhensila Dautllaridhe Luca Martiradonna, për angazhimin dhe entuziazmin e dëshmuar për këtë përvojë në përmbyllje të së cilës u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje;

Pëkthyesen dhe agjenten letrare znj. Aida Baro, për përfshirjen gjatë dy seancave të workshopit;

Drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, znj. Majlinda Toci, për krijimin e hapësirës në funksion të workshopit në mjediset e institucionit;

Drejtorin e Institutit Italian të Kulturës, z. Alessandro Ruggera për gatishmërinë për të bashkëpunuar me QKLL për mundësimin e workshopit;

Shkrimtarin italian, Roberto Ferrucci, për kontributin në favor të autorëve të rinj të letërsisë shqipe

…me shpresën dhe dëshirën e mirë që “Ditari i udhëtimit” të jetë hapi i parë i një rrugëtimi që do të vijojë të çelë dritare të reja për nxitjen e krijimtarisë letrare…

Comments are closed.

Close Search Window
↑