Libri “KUQ E ZI” në NËNTORIN E KUQ ose KUR LETËRSIA TAKON HISTORINË, ishte organizimi i radhës i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit – kësaj here në Sallën e Auditorit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave – me praninë e autores Rovena Rrozhani dhe shkrimtares, me librat e së cilës janë rritur breza të tërë, Adelina Mamaqi.
Ky takim, me publik fëmijësh dhe prindërish, bëri bashkë, siç u shpreh në hapje drejtoresha e QKLL-së, Arta Marku: “Emrin e një shkrimtareje tashmë të konfirmuar dhe të vlerësuar, sikurse Rovena Rrozhani; tematikën e librit, të lidhur fort me NËNTORIN SHQIPTAR, letërsinë që e shndërron historinë në xhevahir dhe vendin që “ruan” kohën, sikurse MUZEU ARKIVOR”, të cilin drejtori i DPA-së, Auron Rrokaj, i ftoi pjesëmarrësit ta vizitonin.
Dhe, në fakt, detaji më origjinal i këtij takimi ishte pikërisht BIBLIOTEKA & MUZEU në një alternim; KRIJIMTARIA & DOKUMENTI në një pranëvënie. Dhe kjo jo thjesht lidhur me përmbajtjen e librit, por edhe të aktivitetit.
Takimi mbi librin “KUQ E ZI” të Rovena Rrozhanit, i organizuar dhe moderuar nga Jerida Sakaj, nisi me një material audiovizual mbi librin, për të vijuar me shpjegimet e autores, komentet e Adelina Mamaqit, si dhe interpretimet vërtet emocionuese të lexueseve të pranishme.
Një prej vjershave të librit, e shndërruar në këngë, i dha energji takimit, po aq sa pyetjet e autores, të cilat i vunë në lëvizje të pranishmit për të gjetur përgjigjet.
Takimi mbi librin “KUQ E ZI”, në vetvete një rikthim në kohë, u mbyll me vizitën në MUZEUN ARKIVOR një thellim edhe më tutje në kohë.
Për LIBRIN & KUJTESËN bashkëpunimi QKLL & DPA vijon…






