Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi takimin e dytë të nismës “Miku i librit”, në shkollën “Hasan Prishtina”, kushtuar romanit “Shpella e piratëve” të shkrimtarit Petro Marko.
Në këtë takim, përmes bisedës me Jerida Sakajn, nxënësit patën mundësinë të njihnin më nga afër historinë e krijimit të një prej veprave më të dashura të letërsisë për fëmijë.
Duke u ndalur te përvojat dhe kujtimet e Petro Markos e familjes së tij në Dhërmi, Jerida Sakaj rrëfeu se si historia e shpellës, legjendat për thesaret e piratëve dhe përjetimet e fëmijëve të fshatit u bënë pikënisja e një vepre ku ndërthuren kujtesa, realiteti dhe imagjinata krijuese e autorit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe ilustrimeve të romanit, realizuar nga bashkëshortja e shkrimtarit, piktorja Safo Marko, e cila, përmes artit të saj, i ka dhënë një tjetër dimension botës së personazheve dhe aventurave të rrëfyera në libër.
Takimi u pasurua edhe nga krijimtaria e vetë nxënësve, të cilët kishin përgatitur një video përmbledhëse mbi jetën dhe veprën e Petro Markos. Një prej nxënësve kishte realizuar me laps portretin e shkrimtarit, ndërsa të tjerë kishin krijuar piktura të frymëzuara nga kopertinat e librave të tij.
Biseda mori një dimension të veçantë edhe falë përfshirjes së nxënësve, të cilët e kishin lexuar romanin dhe ndanë me të ftuarën përshtypjet, reflektimet dhe pyetjet e tyre.
Nisma “Miku i librit” vijon.







