Aktivitete, Të rejat|

Më 22-25 tetor 2026, si bashkëpunim i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, me Qendrën e Botimeve për Diasporën u zhvillua seminari i përkthimit letrar “Fjala shqipe në gjuhë të huaj”, një takim profesional që bëri bashkë shkrimtarë, përkthyes, studiues, gjuhëtarë, botues dhe përfaqësues të institucioneve e organizatave që punojnë për përkthimin, botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në hapësirën ndërkombëtare.

Pjesë e rëndësishme e seminarit ishte mbi të gjitha prania e përkthyesve profesionistë të letërsisë shqipe të mbërritur nga vende të ndryshme të Evropës: Dorota Horodyska, Eleana Zhako, Stavri Dajo, Florian Kinze, Sebastien Gricourt, Gentian Çitaku, Mendu Imeri, Liljana Çuka, Griselda Doka, Loreta Schillock, Sonia Memoci, Arben Dedja dhe Anita Duriçi.

Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e QKLL, zj. Arta Marku, theksoi rëndësinë e përkthyesit si një kontribuues thelbësor në njohjen dhe përhapjen e letërsisë shqipe përtej kufijve gjuhësorë e kulturorë. Ajo shprehu mirënjohjen për përkthyesit që i kushtohen këtij procesi të vështirë, duke bërë të mundur që veprat e autorëve shqiptarë të komunikojnë me lexues të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme.
Nga ana e saj, drejtoresha e QBD, znj. Mimoza Hysa, vuri në dukje rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë, si dhe nevojën për të nxitur formimin e brezave të rinj të përkthyesve nga shqipja në gjuhë të huaja.

Përmes diskutimeve, prezantimeve truezave të rrumbullakëta dhe punëtorive, seminari trajtoi sfidat e përkthimit letrar, domosdoshmërinë e krijimit të një rrjeti bashkëpunimi të shumëfishtë: autor, përkthyes, agjent letrar, botues… si dhe mbështetjen institucionale për ta bërë letërsinë shqipe më të njohur në arenën ndërkombëtare.

Seminari nisi me prezantimin e dy botimeve të QKLL-së nga drejtoresha Arta Marku: broshura kushtuar autorëve fitues të Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për periudhën 2010 –2024 dhe broshura e fituesve të Fondit të Krijimtarisë Letrare “Autorët e rinj”.
Këto botime synojnë të sjellin në vëmendje krijimtarinë dhe arritjet e autorëve shqiptarë, duke u shërbyer përkthyesve dhe botuesve si një pikë referimi për njohjen e letërsisë bashkëkohore shqipe dhe për identifikimin e veprave me potencial për t’u përkthyer e botuar në gjuhë të tjera.

Në vijim, një tryezë e rrumbullakët, iu kushtua fondit të përkthimit letrar “Fjala shqipe në gjuhë të huaj”. U prezantua mënyra e funksionimit të projektit nga ana e QKLL dhe u shtruan për diskutim propozimet nga vetë përkthyesit lidhur me përzgjedhjen e veprave, tematikave që paraqesin më shumë interes në gjuhët pritëse dhe mundësitë e kontakteve me botuesit…

Studiuesja Dhurata Shehri ofroi një panoramë të letërsisë shqipe pas viteve ’90, duke u ndalur te zhvillimet, prirjet e reja dhe transformimet që kanë shënuar këtë periudhë. Diskutimi trajtoi ndryshimet në tematika, forma dhe qasje letrare, si dhe sfidat që shoqërojnë komunikimin e kësaj letërsie me lexuesin ndërkombëtar.

Një ndër komponentët praktikë të seminarit ishin punëtoritë e organizuara nga QBD, të cilat synuan të ndërthurin përvojën profesionale me kontributin e përkthyesve dhe specialistëve të gjuhës.
Punëtoria “Tungjatjeta” në tetë gjuhë kishte në fokush kalimin nga përkthimi te përshtatja didaktike e materialeve për mësimin e shqipes. Nën drejtimin e mentoreve Ajula Jubani dhe Mimoza Hysa, pjesëmarrësit analizuan raste konkrete nga versionet gjuhësore, strukturat e shqipes që nuk kanë përputhje të drejtpërdrejtë në gjuhët pritëse, harmonizimin e terminologjisë gramatikore dhe didaktike, si dhe përshtatjen e udhëzimeve dhe ushtrimeve pa ndryshuar objektivat mësimorë.
Puna u përqendrua gjithashtu te identifikimi i elementeve që duhet të mbeten të pandryshueshme në të gjitha versionet dhe përcaktimi i kritereve të përbashkëta për kontrollin dhe redaktimin përfundimtar.

Punëtoria e dytë, “Udhërrëfyesi kulturor – Gjirokastra” në pesë gjuhë, e drejtuar nga Mimoza Hysa dhe Manjola Nasi, u përqendrua te problematikat e përkthimit kulturor dhe te gjetja e zgjidhjeve të përbashkëta për versionet gjuhësore.
Pjesëmarrësit shqyrtuan pasazhe problematike, diskutuan zgjidhjet e propozuara nga përkthyesit dhe trajtuan çështje që lidhen me terminologjinë historike, kulturore, arkitekturore dhe etnografike. Vëmendje iu kushtua edhe trajtimit të toponimeve dhe emërtimeve lokale, termave që kërkojnë shpjegim për lexuesin e huaj dhe nevojës për hartimin e një fjalori bazë shumëgjuhësh.

Një pjesë e rëndësishme e seminarit iu kushtua marrëdhënies mes autorëve, përkthyesve, agjentëve letrarë dhe botuesve, si dhe mekanizmave që mundësojnë qarkullimin e veprave letrare në tregjet ndërkombëtare. Agjentja letrare Aida Baro prezantoi sfidat dhe mundësitë e profesionit të saj, duke u ndalur te kërkimi i rrugëve të promovimit, krijimi i kontakteve me botuesit dhe qarkullimi i letërsisë shqipe brenda dhe jashtë vendit.

Në seancën “Çfarë botohet në shqip”, botuesit shqiptarë prezantuan autorët kryesorë dhe veprat me potencial për përkthim, si dhe politikat e tyre për të drejtat e autorit dhe bashkëpunimin me botues e përkthyes të huaj. Në këtë pjesë të programit morën pjesë përfaqësues të shtëpive botuese; përkatësisht Irena Toçi nga Toena dhe Elda Vela nga Mediaprint.

Përvojat ndërkombëtare të bashkëpunimit u sollën në vëmendje nga Anna Schlossbauer, përfaqësuese e rrjetit TRADUKI, e cila, në një prezantim online me përkthimin e Ana Koves, ndau praktika dhe modele bashkëpunimi për mbështetjen e përkthimit letrar. Diskutimi përfshiu format e mbështetjes financiare për përkthimin, krijimin e rrjeteve mes përkthyesve, autorëve dhe botuesve, rezidencat e përkthyesve, promovimin ndërkombëtar të letërsive të rajonit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Programi kishte pjesë të tij intermexo poetike, gjatë së cilës u interpretuan fragmente nga krijimtaria shqipe. Në hapësirën kushtuar letërsisë dhe leximit u sollën në vëmendje edhe fragmente nga letërsia tradicionale shqipe, me krijime të Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Petro Marko, Lasgush Poradeci, Migjeni, Fatos Arapi. Fatos Kongoli, Ndoc Gjetja etj.

Panelet e shkrimtarëve përbënë një tjetër pjesë thelbësore të seminarit, duke krijuar një hapësirë komunikimi të drejtpërdrejtë mes autorëve dhe përkthyesve. Përmes prezantimit të fragmenteve nga krijimtaria e tyre, leximeve dhe diskutimeve, shkrimtarët patën mundësi të ndajnë me përkthyesit përvojat e tyre krijuese, veçoritë e veprave dhe perspektivat e bashkëpunimit të ardhshëm.
Në panelet letrare morën pjesë Ben Blushi, Rita Petro, Vera Bekteshi, Ardian Vehbiu, Diana Çuli, Artan Fuga, Namik Dokle, Maklena Nika, Ervin Nezha, Liridon Mulaj dhe Loer Kume. Panelet u moderuan nga Luljeta Nelallari, Sandra Hyka dhe Jerida Sakaj, ndërsa fragmentet letrare u interpretuan nga Jerida Sakaj dhe Sinan Lila.

Seminari FJALA SHQIPE NË GJUHË TË HUAJ vuri në dukje se përhapja e letërsisë shqipe nuk mbështetet vetëm te përkthimi i veprave, por edhe te krijimi i marrëdhënieve të qëndrueshme mes autorëve, përkthyesve, botuesve, agjentëve letrarë dhe institucioneve që mbështesin qarkullimin ndërkombëtar të librit.

Në seancën përmbyllëse, drejtoresha e QKLL znj. Arta Marku dhe drejtoresha e QBD znj. Mimoza Hysa paraqitën konkluzionet e dy ditëve të punës dhe drejtimet kryesore për vijimin e bashkëpunimit:

-Rekomandimet për funksionimin e Fondit “Fjala shqipe në gjuhë të huaj”, përzgjedhjen e veprave për përkthim, komunikimin me botuesit, promovimin ndërkombëtar të letërsisë shqipe dhe mbështetjen e përkthyesve.

-Rezultatet e punëtorive “Tungjatjeta” dhe “Udhërrëfyesi kulturor – Gjirokastra”, problematikat e identifikuara, zgjidhjet e përbashkëta dhe rekomandimet editoriale për përfundimin e versioneve në gjuhë të ndryshme.

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Qendra e Botimeve për Diasporën do të vijojnë bashkëpunimin për të mbështetur përkthimin, botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe, duke krijuar ura të reja mes gjuhëve, kulturave dhe lexuesve.

Comments are closed.

Close Search Window
↑