Aktivitete, Të rejat|

Scripta manent, një cikël veprimtarish që QKLL e ka ideuar në funksion të kujtesës, në datën 13 tetor pati takimin e tij të dytë.

Siç e shpjegoi edhe drejtoresha e QKLL-së, znj. Arta Marku, shkëputja e togfjalëshit nga thënia latine lidhet, pa dyshim, me atë të shkruar që mbetet, me veprat ose kryeveprat letrare që janë shkruar dje, por vlejnë sot, nesër dhe përgjithmonë. Vlejnë për autorin që i ka shkruar, por mbi të gjitha për lexuesit për të cilët i ka shkruar.

Scripta manent, kishte protagonist Migjenin në 115-vjetorin e tij të lindjes.

Cila ishte jeta e poetit?

Cila është vepra e tij?

Si ndërthuret jeta me veprën për t’u shndërruar në një Scripta Manent?

Për t’u dhënë përgjigje sa më sipër, takimi kishte gërshetuar fjalën e recituar, kujtesën filmike, rrëfimet e pasardhësve të njërit prej zërave më të fuqishëm të letërsisë shqipe dhe interpretimet e studiuesit. Angjelina Ceka, mbesa e Migjenit, dhe studiuesi Kastriot Gjika, përmes moderimit të Jerida Sakajt, specialiste pranë QKLL, sollën dimensionin e çmuar njerëzor dhe atë studimor, duke e rikthyer në vëmendje poetin.

Një detaj interesant e paraqiti në takim Aida Baro, përkthyese, agjente letrare dhe punonjëse e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, që solli për të pranishmit librin “La leggenda del grano turco” (Legjenda e misrit) të botuar në gjuhën italiane në vitin 1957 nga botimet ITALALB me seli ne Romë, e cila në vitet ’50 të shekullit të shkuar ishte aktive me nxjerrjen në dritë të veprave që lidheshin me kulturën shqiptare dhe letërsinë arbëreshe…

Një falënderim i veçantë shkon:

  • për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, që i bëri vend takimit në sallën franceze të Qendrës “Sotir Kolea”.
  • për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, për bashkëpunimin dhe vënien në dispozicion të pamjeve nga filmi “Një natë pa dritë” (1981), kushtuar jetës së Migjenit, të cilat i dhanë aktivitetit një dimension të veçantë emocional.
  • për nxënësit e shkollës New York High School që u përfshinë përmes leximeve të poezive të Migjenit.

SCRIPTA MANENT vijon me shkrime të tjera që mbeten…

Comments are closed.

Close Search Window
↑