“M’a fal t’a shof njat buratin qi keni qitë në xham, – i thaçë shegertit qi më duel para. Me të shpejtë ky e hoq prej xhamit e m’a dha në dorë.
Un e mora, e pshteta mbi banak. Pinoku më shikjoi edhe nji herë, qeshi prap e mandej, pa ba as nji as dy, po kacaviret për mue tuj u kapë me njanën dorë për kravate e me tjetrën për hunde e tuj m’a avitë gojën te veshi po më thotë me za t’ultë:
– Due me ardhë me ty në Shqypni!
– Me mue?!
– Po, po, due me ardhë! – ia bani prap, tuj i shkrepë ato kambë druje për banak e tuj ia nisë vajit. Nuk e çova ma gjatë, tuj mos dashtë me ba poetere n’at tregtore. Pagova paret e dola me Pinok nën krah.
– E ke gabim, more Pinok, – xuna me i thanë mandej, rrugës, – ti nuk ke pse vjen në Shqypni, kanë për të marrë për lojë, nuk kanë me të kuptue, nuk kanë me të dashtë.
– Jo, jo e ke gabim ti! […] M’a len mue! Unë kam përshkue mbarë botën, – vijoi mandej, – e gjithkund më kanë pritë me krahë hapë. Vetëm Shqypnija më ka mbetë pa e pa: due me ba miqsi edhe me shqyptarët e vogjël”
Kështu shkruan Çuk Simoni në parathënien e botimit të parë të Pinokut në gjuhën shqipe, të përkthyer nga ai vetë, në vitin 1935. Asokohe, Pinoku ekzistonte prej 54 vjetësh.
Çfarë do të thotë PINOK? A ka një kuptim? Si e gjeti Carlo Collodi emrin e këtij personazhi?
Çfarë ka në zanafillën e këtij libri që bëri epokë?
Cili është rrugëtimi i Pinokut në kohë?
Cilët janë librat e tjerë që u frymëzuan nga personazhi i krijuar nga Carlo Collodi?
Si u shndërrua personazhi i përshkruar me fjalë në imazh?
Si u paraqit ai nga ilustratorë të ndryshëm dhe si e ka interpretuar ilustruesja shqiptare Xheneta Kadillari në botimin më të ri në gjuhën shqipe të librit “Aventurat e Pinokut”, përkthyer nga Zija Vukaj?
QKLL-ja organizoi sot në mjediset e COD-it, një takim të ciklit SCRIPTA MANENT, mbi librin që shijohet nga fëmijët dhe interpretohet nga të rriturit, me praninë e gjimnazistëve të shkollës “Ismail Qemali”.
Studiuesja, njëkohësisht shkrimtarja e librave për fëmijë, Persida Asllani dhe botuesja Irena Toçi rrëfyen për PINOKUN, pikërisht sot, në 200-vjetorin e lindjes së Carlo Collodi-t…







