Fjalët i qitte prej gojet me mundim…
kur fillonte ta vinte për fije bisedën, përdorte terminologji t’thatë…
pallton e zezë që e mbante veshur dimër-verë e kishte gjithnjë t’përlyme me pluhur burnoti…
Shkurt, dukej si nji prift katundi ndër ma të lanunt.
***
Në fakt, është NDRE MJEDJA. Njeriu mund të jetë edhe i zakonshëm në dukje, apo më keq, por asgjë s’ia cenon madhështinë… mes të tjerash atë të POETIT.
Pikërisht POETIT iu kushtua një SCRIPTA MANENT në mbrëmjen e 20 nëntorit, në ditën e 160-vjetorit të lindjes.
Nën moderimin e drejtoreshës së QKLL-së, Arta Marku, studiuesja Dhurata Shehri dhe botuesi, njëherësh përgatitësi i veprës së plotë të Mjedjes, Frano Kulli, rrëfyen për një figurë tejet interesante në 360 gradë.
U fol për poetin me interpretimet filozofike dhe psikologjike; për mjeshtrin e fjalës dhe vargut, por edhe vargjet e censuruara; për poetin pashmangshmërisht të preferuar, por edhe për poetin e keqinterpretuar gjatë diktaturës…
Në fakt, vargjet e hequra nga botimet e para viteve ’90 disa herë e kishin shpjegimin te prania e elementeve fetare, e disa vështirë t’u gjendej shpjegimi. Të tjera herë akoma, ishin pikërisht vargjet e munguara ato që tjetërsonin kuptimin e poezisë, duke e çuar deri në skajin e kundërt… deri aty sa reflektimi mbi vdekjen, me vargjet e fshira, shndërrohej në një poezi mbi verën…
Në fakt, MJEDJA (jo Mjeda, siç përdoret masivisht, por Mjedja, siç ishte qysh në botimin e parë të Juveniljes, në 1917) ishte një protagonist i jashtëzakonshëm i mbrëmjes letrare dhe leximi i poezive të tij, një pjesë veçanërisht interesante e saj.
Interpretimi i disa prej poezive nga Aida Sahitaj, nxënëse e shkollës Ismail Qemali, në njëfarë mënyre ishte një lloj dëshmie se Mjedja ende, për lexuesit e sotëm, përcjell magji.
Fundja, poeti tek ai është pikë për pikë ashtu siç vetë e percepton poetin e vërtetë në esenë që ka shkruar, me titull “Përmbi poesi përgjithsisht”: Pak a shumë, si bleta. Pra, edhe poeti, si bleta, nuk grumbullon gjëra të çfarëdoshme, por NEKTARIN e realitetit përreth, për të nxjerrë si rezultat një produkt të jashtëzakonshëm si MJALTI.
Poetët, si bletët… Mjedja po ashtu.







