Aktivitete, Të rejat|

“MIKU I LIBRIT”, fushata me të cilën tashmë identifikohet Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit vijoi më 4 nëntor, me takimin e dytë të zhvilluar në gjimnazin “Ismail Qemali”, ku e ftuar ishte Luçia Zorba Kalaj, vajza e poetit, përkthyesit dhe regjisorit Zef Zorba, për të bashkëbiseduar rreth librit të saj “Veç drita s’paska mbarim”.
Përmes faqeve të këtij libri, autorja ndan fragmente jete dhe përjetime familjare, duke sjellë në vëmendje tema të rëndësishme si qëndresa, kujtesa, dashuria dhe forca e shpirtit njerëzor… Sigurisht një kujtesë vetjake që është kaq fort e lidhur me kujtesën kolektive dhe konkretisht me epokën e diktaturës, një e djeshme që duhet doemos njohur prej të rinjve.
Në bashkëbisedimin me nxënësit, Luçia Zorba Kalaj theksoi se ky libër nuk është thjesht një përmbledhje kujtimesh, por një ftesë për reflektim dhe përcjellje vlerash, një dëshmi se drita, pavarësisht errësirës që mund të përjetojë njeriu, nuk shteron kurrë.
Takimi nisi me një moment të veçantë kujtese dhe nderimi për figurën e Zef Zorbës, një prej zërave më të veçantë të letërsisë shqipe, përmes një materiali video të përgatitur nga vetë nxënësit e shkollës.
Takimi nxori në pah kureshtjen e nxënësve, të nxitur nga leximi i librit “Veç drita s’paska mbarim”. Pyetjet e tyre, veçanërisht nga Era Hysaj, Ika Mikeli, Ana Dedo etj., si dhe dëshira për të mësuar më shumë e kthyen takimin në një bashkëbisedim të gjallë. Emocionues ishte interpretimi i disa poezive të Zef Zorbës nga nxënësja Aida Sehitaj, e cila i dha këtij aktiviteti një dimension të veçantë artistik dhe emocional.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Arta Marku, e pranishme në këtë takim, u ndal te mesazhi i veprës, që përcjell besimin se shpresa, dashuria dhe drita e shpirtit nuk shuhen kurrë, edhe në momentet më të vështira të jetës. Ai na kujton të besojmë te forca jonë e brendshme dhe të mos dorëzohemi përballë vështirësive.
Përmes fushatës “MIKU I LIBRIT”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit synon të afrojë librin me të rinjtë, të nxisë dëshirën për të lexuar dhe të krijojë hapësira ku nxënësit të takojnë autorë, të njohin vepra dhe të diskutojnë mbi letërsinë…

Comments are closed.

Close Search Window
↑