“Biblioteka e artit”, fushata e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, e cila duke bërë bashkë fjalën dhe imazhin i kushtohet figurave shenjuese të historisë së artit pamor shqiptar, u rikthye në datën 23 shtator, në mjediset e Liceut Artistik “Jordan Misja”.
Seanca e parë e ciklit që do të vijojë përgjatë gjithë vitit shkollor me takime mujore u hap me praninë e Drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Arta Marku dhe të Drejtoreshës së Liceut Artistik znj. Etleva Kolnikaj të cilat, shpjeguan se takimet e vitit në vijim do të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me 80-vjetorin e Liceut duke u fokusuar te monografitë që u kushtohen mirëfilli emrave që kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj shkolle e që kanë njëherësh një përmasë artistike kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, “Biblioteka e artit” u hap me diskutimin mbi monografinë e Nexhmedin Zajmit pedagog qysh në hapat e parë të Liceut, një ndër emrat më të rëndësishëm të pikturës shqiptare të viteve ’40-’90 të shekullit të shkuar.
Figurën e Zajmit e paraqiti para liceistëve, studiuesi dhe historiani i artit, Oltsen Gripshi. Ai u ndal te veprat kyç të karrierës së artistit që, siç tha, lëvroi me të njëjtën fuqi shprehëse të gjitha zhanret e artit pamor: portretin, kompozimet shumëfigurëshe, peizazhet, brenditë dhe natyrat e qeta. Gripshi përmendi influencën e jashtëzakonshme të Zajmit te bashkëkohësit, te kolegët e tij të së njëjtës periudhë por dhe te të gjithë brezat që janë gjendur në një dialog virtual me veprat e Nexhmedin Zajmit.
Takimin e moderoi Luljeta Nelallari, përfaqësuese e QKLL.
Stacioni i radhës i “Bibliotekës së artit” do të jetë pas një muaji, duke tërhequr vëmendjen e artistëve të ardhshëm mbi një tjetër figurë përfaqësuese të artit pamor shqiptar njëherësh të Liceut Artistik “Jordan Misja”.





