Scripta manent… në 100-vjetorin e Kasëm Trebeshinës
Në kuadër të ciklit “Scripta manent”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Muzeun “Shtëpia me Gjethe”, organizoi aktivitetin kushtuar 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Kasëm Trebeshina.
Nën tematikën Histori letërsie e përgjimesh, takimi solli në vëmendje një ndërthurje të veçantë mes krijimtarisë letrare, kujtesës historike dhe dokumenteve që dëshmojnë marrëdhënien e shkrimtarit me kohën në të cilën jetoi. Përmes një vështrimi mbi jetën dhe veprën e Trebeshinës, aktiviteti krijoi hapësirë për të reflektuar mbi fatin e shkrimtarit, lirinë e krijimit dhe gjurmët që historia lë në letërsi.
E ftuar në këtë takim ishte studiuesja Anila Mullahi, ndërsa diskutimi u moderua nga Jerida Sakaj. Biseda solli një qasje studimore mbi figurën e Kasëm Trebeshinës, duke e vendosur krijimtarinë e tij në dialog me dokumentet dhe kujtesën e një periudhe të rëndësishme të historisë sonë.
Një dimension të veçantë artistik i dha aktivitetit interpretimi i disa fragmenteve nga krijimtaria e Trebeshinës, nga Jerida Sakaj dhe Sinan Lila, duke rikthyer përmes fjalës së gjallë jehonën e një vepre që vijon të komunikojë me lexuesin.
“Scripta manent” – shkrimet mbeten. Ato ruajnë jo vetëm zërin e autorit, por edhe gjurmët e kohës, dëshmitë e historisë dhe pyetjet që çdo brez duhet t’i bëjë së shkuarës.





