Fituesit e Fondit të Përkthimit Letrar
“Fjala shqipe në gjuhë të huaj”
2026
***
Autor – Ardian Ch. Kyçyku
Titulli – Ati
Përkthyese – Valentina Notaro
Gjuha – italisht
Botues – Salento books
***
Autore – Luljeta Lleshanaku
Titulli – Poezi të përzgjedhura
Përkthyes – Arben Dedja
Gjuha – italisht
Botues – Mimesi Srl
***
Autorë – Të ndryshëm
Titulli – Poetë shqiptarë nga shekulli XII-XIX
Përkthyes – Anton Papleka
Gjuha – frengjisht
Botues – Le merle moqueur
***
Autor – Stefan Çapaliku
Titulli – Saga e Sarajevës
Përkthyese – Vlora Konushevci
Gjuha – anglisht
Botuesi – Istros Books limited
***
Autore – Vera Bekteshi
Titulli – Vila me dy porta
Përkthyes – Christian Raby
Gjuha – frengjisht
Botues – Ecrits de Lumière
***
Autor – Namik Dokle
Titulli – Ditët e lakuriqëve të natës
Përkthyese – María Roces González
Gjuha – spanjisht
Botues – La Tortuga Búlgara
***
MARSELA LIKAJ – Kryetare jurie:
Të dashur autorë, përkthyes, botues, lexues dhe miq të librit,
Kam kënaqësinë, në cilësinë e kryetares së jurisë, e cila përbëhet gjithashtu nga anëtarët Mimoza Hysa dhe Agim Baçi t’ju prezantoj rezultatet e thirrjes për mbështetjen financiare të përkthimit të veprave të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaja.
Një vepër letrare lind në një gjuhë të caktuar, por vlera e saj mund të kapërcejë kufijtë e gjuhës dhe të kulturës ku është krijuar. Pikërisht përkthimi i jep asaj mundësinë të takohet me lexues të rinj, të përcjellë zërin e autorëve tanë dhe të bëhet pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar.
Me këtë frymë e kemi parë edhe punën tonë si juri. Gjatë shqyrtimit të 14 aplikimeve të paraqitura, kemi vlerësuar jo vetëm cilësinë letrare të veprave, por edhe mundësinë që ato të përfaqësojnë denjësisht letërsinë shqipe në gjuhët dhe kulturat ku do të përkthehen.
Vlerësimi nuk ka qenë i thjeshtë. Pas çdo aplikimi qëndron një vepër, një autor, një përkthyes dhe një përpjekje konkrete për ta bërë letërsinë tonë më të njohur në botë. Për këtë arsye, juria i ka shqyrtuar me përgjegjësi të veçantë të gjitha aplikimet, duke u bazuar në vlerën estetike të veprës, rëndësinë e autorit në kontekstin e letërsisë shqipe, cilësinë e përkthimit, seriozitetin e shtëpisë botuese dhe impaktin ndërkombëtar të botimit të veprës në gjuhën pritëse.
Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, juria përzgjodhi gjashtë vepra, bazuar te Vendimi i Kolegjiumit për këtë Fond, i datës 03.02.2026. Gjykojmë se gjashtë veprat e vlerësuara ofrojnë mundësinë më të mirë për të prezantuar letërsinë shqiptare përpara lexuesve ndërkombëtarë.
Përgëzojmë autorët, përkthyesit dhe botuesit fitues dhe falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në këtë përpjekje të përbashkët për ta çuar letërsinë shqipe më tej.