Në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqatën e Përkthyesve Shqiptarë zhvilluan panelin e diskutimit “Të thuash gati të njëjtën gjë”.
Me praninë e përkthyesve Edmond Tupja, Diana Çuli, Aristotel Spiro, Ana Kove, Aida Baro dhe Alban Reli u trajtuan disa nga çështjet më të rëndësishme të përkthimit bashkëkohor: përkthyesi si krijues dhe bashkëautor, ndikimi i përkthimit në pasurimin e shqipes, përballja me fjalët dhe shprehjet që nuk kanë ekuivalent të drejtpërdrejtë, përkthimi nga një gjuhë e dytë, ripërkthimi dhe marrëdhënia mes origjinalit dhe varianteve të ndryshme të përkthimit. Një hapësirë e veçantë iu kushtua inteligjencës artificiale, mundësive që ajo ofron si mjet ndihmës për përkthyesin, por edhe sfidave që sjell për procesin krijues, përgjegjësinë dhe cilësinë e përkthimit.
Aktiviteti u përshëndet nga Arta Marku, Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit; Majlinda Toçi, Drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; dhe Rexhep Hida, Kryetar i Shoqatës së Përkthyesve Shqiptarë.
“Të thuash gati të njëjtën gjë” ishte një udhëtim nëpër gjuhë, letërsi dhe kulturë, për të reflektuar mbi atë që humbet, atë që fitohet dhe atë që rilind kur një vepër kalon në një gjuhë tjetër.
Një falënderim i veçantë për të ftuarit, përkthyesit, nxënësit e shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” dhe të gjithë pjesëmarrësit…
“Shkrimtarët shkruajnë letërsinë kombëtare, përkthyesit bëjnë atë universale.” – José Saramago







