Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në datën 1 tetor riktheu fushatën “Miku i librit”, në shkollën Ismail Qemali.
“Miku i librit”, në tetorin e librit ishte vetëm takimi i parë që nisi me një diskutim për shkrimtarin Vath Koreshi, një ndër emrat e rëndësishëm të letrave shqipe, që shënon këtë vit 90-vjetorin e lindjes.
Libri në qendër të bisedës ishte “Konomea”, të cilin një pjesë e mirë e nxënësve e kishin lexuar gjë që e ktheu në bashkëbisedim takimin me studiuesen Dhurata Shehri, e cila e bëri aq joshëse bisedën sa pyetjet për të vijuan edhe pas përfundimit të takimit, jashtë sallës së teatrit të shkollës.
Detaj interesant ishte fakti që leximi i librit të Vath Koreshit u kish nxitur nxënësve kureshtjen për të lexuar libra të tjerë nga autori por edhe nga letërsia bashkëkohore shqipe.
Sigurisht, me një libër tjetër të letërsisë shqipe, pas një muaji është koha e takimit të radhës me ismailsat… qe dinë ta mirëpresin librin, të shprehin dashurinë dhe interesin për të, nxënës e mësuese bashkë. Këto të fundit janë të pranishme nëpër takime letrare (gjithnjë kështu në atë shkollë) jo për të shoqëruar nxënësit (s’ka pse) por për t’u bërë pjesë e diskutimeve dhe shkëmbimit të mendimeve.
Faleminderit “Ismail Qemalit”, shkollës që ia hap gjithnjë derën librit!
Faleminderit Merita Grudës, mësueses së letërsisë që ka marrë përsipër komunikimin me QKLL për zhvillimin e takimeve letrare përgjatë gjithë vitit shkollor.
Faleminderit Irma Marku, Irma Hamataj, Albana Janko, Esmeralda Patoshi, Laureta Lika, Alma Gjana, jo të gjitha mësuese letërsie e megjithate të gjitha të pasionuara ndaj letërsisë!
Faleminderit, pa dyshim, Dhurata Shehrit për gatishmërinë dhe sidomos për shpjegimet magnetizuese!




