Aktivitete, Të rejat|

Më 3 tetor Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit zhvilloi takimin e dytë të Klubit Kombëtar Rinor të Leximit, ku në qendër të diskutimit ishte romani “Qiell” i shkrimtares japoneze Mieko Kawakami, përkthyer në shqip nga Andreas Dushi.

Përmes letërsisë, të rinjtë u ftuan të reflektonin mbi një fenomen që prek drejtpërdrejt jetën shkollore dhe marrëdhëniet mes bashkëmoshatarëve: bullizmin. Pse bullizon dikush? Pse bëhet dikush viktimë e bullizmit? Çfarë roli kanë dëshmitarët dhe sa ndikojnë qëndrimet e mësuesve, prindërve dhe rrethit shoqëror?

Diskutimi u shndërrua në një hapësirë të hapur reflektimi, ku nxënësit sollën vëzhgimet dhe përvojat e tyre, duke lidhur situatat e përshkruara në roman me realitetin që i rrethon. Përmes interpretimeve dhe këndvështrimeve të ndryshme, ata shqyrtuan arsyet e bullizmit, pasojat e tij dhe vështirësinë për të kuptuar përjetimet e tjetrit.

Një dimension të veçantë takimit i dha prania e psikologut Skerdi Zahaj, i cili kontribuoi në thellimin e bisedës dhe orientimin e reflektimit drejt një kuptimi më të mirë të këtij fenomeni. Dialogu mes letërsisë dhe psikologjisë u vlerësua veçanërisht nga anëtaret e klubit, duke dëshmuar se leximi nuk është vetëm një mënyrë për të njohur histori të tjera, por edhe një mundësi për të kuptuar veten dhe të tjerët.

Letërsia hap pyetje, leximi nxit reflektimin dhe dialogu na ndihmon të gjejmë përgjigje. Ky ishte një tjetër hap drejt krijimit të një hapësire ku të rinjtë mund të lexojnë, të diskutojnë lirshëm dhe të zhvillojnë mendimin kritik për çështje që kanë rëndësi në jetën e tyre.

Në takimin e ardhshëm, anëtarët e Klubit Kombëtar Rinor të Leximit do të diskutojnë librin “Ne fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit”, duke vijuar udhëtimin e tyre mes letërsisë, përvojave njerëzore dhe temave që meritojnë të dëgjohen.

 

Comments are closed.

Close Search Window
↑