Aktivitete, Të rejat|

Thomas Frashëri është shpallur fituesi i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2025.

Libri i tij “Princa të Lilit, bij të Arbërit, familjarë të Sulltanit” (botimet Onufri) është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës.

Juria e kryesuar nga znj. Monika Stafa dhe me anëtarë z. Ardian Muhaj, z. Alfred Peza, znj. Aida Tuci dhe z. Flogert Muça e vlerësuan veprën e Thomas Frashërit me motivacionin: “Një vepër, e cila shquhet për origjinalitetin shkencor dhe qasjen metodologjike bashkëkohore në trajtimin e historisë shqiptare. E mbështetur në burime të pasura arkivore dhe në një analizë të thelluar, kjo vepër pasuron historiografinë shqiptare dhe forcon ndërgjegjen historike mbi trashëgiminë dhe rolin e elitave shqiptare”.

Thomas Frashëri fitoi në një garë me emra të njohur si Ben Andoni, Lindita Arapi, Behar Gjoka dhe Bashkim Kuçuku.

Në këtë ceremoni mbajtën fjalë përshëndetëse drejtoresha e QKLL-së, znj. Arta Marku, e cila theksoi rëndësinë e këtij çmimi që sjell në vëmendje emrin e një figure të rrallë dhe të lartë, siç është Mit’hat Frashëri.

Gjithashtu fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetarja e jurisë, znj. Monika Stafa dhe anëtari i jurisë, z. Ardian Muhaj.

Çmimi iu dorëzua fituesit nga studiuesi Uran Butka, i cili e përgëzoi z. Frashëri për këtë studim me përmasa mbresëlënëse kushtuar familjes së madhe të Topiajve dhe përfaqësuesit kryesor të saj, Karl Topisë.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe botues, studiues si dhe emra të njohur të krijimtarisë letrare në vend.

Çmimi “Lumo Skëndo” u nda për të pestin vit radhazi nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Fituesit e viteve të shkuara janë emra të njohur të publicistikës si: Akademik Rexhep Qosja, z. Ilir Ikonomi, z. Ben Blushi dhe znj. Lea Ypi.

Comments are closed.

Close Search Window