Aktivitete, Të rejat|

Shkrimtari Gëzim Aliu vlerësohet me Çmimin “Jakov Xoxa”.
Në Qendrën “Sotir Kolea” u zhvillua ceremonia e dhënies së Çmimit “Jakov Xoxa”, nën moderimin mjeshtëror të aktorit Mevlan Shanaj.
Mbrëmja nisi me një moment nderimi për akademikun Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, duke vlerësuar veprën dhe kontributin e tij si anëtar i jurisë së këtij çmimi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi i këtij titulli mbarëkombëtar dhe njëherazi djali i Jakov Xoxës, z. Agron Xoxa, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për të gjithë të pranishmit, veçanërisht për institucionet që kanë mbështetur Çmimin “Jakov Xoxa” që prej fillimit të tij, si Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si edhe për Bordin, Jurinë e Çmimit dhe organizatorët e ceremonisë.
Në këtë ceremoni mbajtën fjalë përshëndetëse drejtoresha e QKLL-së, znj. Arta Marku, akad. Ali Aliu, shkrimtarja Diana Çuli, si edhe botuesit Abdullah dhe Edon Zeneli.
Në fjalën e saj, drejtoresha e QKLL-së, znj. Arta Marku, theksoi se Çmimi “Jakov Xoxa” përfaqëson tashmë një urë të re, por të rëndësishme, të forcuar nga emra jashtëzakonisht dinjitozë të jurisë. Ajo nënvizoi gjithashtu vlerësimet që kritika i ka bërë figurës së Jakov Xoxës ndër vite: për përmasën mbarëkombëtare të veprës së tij në një kohë kur kjo përmasë nuk ekzistonte; për frymën romantike në një periudhë kur romantizmi nuk ishte i preferuar; për aftësinë e thellë të interpretimit psikologjik të natyrës njerëzore; si dhe për pasurinë e gjuhës, që mbetet një model i vyer për t’u ndjekur edhe sot.
Gjatë mbrëmjes, aktorët Vasjan Lami dhe Violeta Trebicka interpretuan pjesë të zgjedhura nga veprat konkurruese të pesë finalistëve.

Comments are closed.

Close Search Window