Në kuadër të ditës së tretë të Panairit të Librit Akademik dhe Shkencor, u zhvillua ceremonia e dhënies së çmimit “Vepra më e mirë studimore”, një vlerësim që akordohet çdo vit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Këtë vit, çmimi iu dha Akad. Asoc. Rrapo Ormëni, për kolanën “Akademik Eduard Sulstarova – Vepra të zgjedhura në fushën e sizmologjisë”, me motivacionin “Për dokumentimin me relevancë shkencore të kontributeve më përfaqësuese në fushën e sizmologjisë të Akademik Eduard Sulstarovës, duke i paraqitur ato si dëshmi e zhvillimit shkencor në vend dhe si burim frymëzimi për brezat e rinj të kërkuesve”.


Gjatë ceremonisë, Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Arta Marku, ndër të tjera, vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për organizimin e këtij panairi. Ajo theksoi gjithashtu simbolikën e veçantë që shoqëron këtë edicion, në kontekstin e ndarjes nga jeta të Akademik Rexhep Qosja pikërisht më 23 prill.

Veprimtaria u mbyll me urimet për Akad. Asoc. Rrapo Ormëni, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në fushën e kërkimit shkencor dhe rolin frymëzues që ai përfaqëson për komunitetin akademik dhe brezat e rinj.


Çmimi iu akordua fituesit dhe iu dorëzua nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi.

