Prej datës 22 prill, në mjediset e brendshme dhe të jashtme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë po zhvillohet edicioni i pestë i Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor.
Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 40 institucione nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat prezantojnë mbi 100 botime të reja në fushën akademike dhe shkencore.
Në ceremoninë e çeljes së panairit, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), morën pjesë drejtues të institucioneve pjesëmarrëse, përfaqësues të botës akademike dhe të ftuar të shumtë.
Ky panair ka bërë bashkë botuesit, përfaqësuesit e institucioneve, të organizmave shkencorë dhe të disa prej universiteteve shqiptare, me qëllim lehtësimin e qasjes së lexuesit ndaj librit akademik dhe shkencor, nga e gjithë hapësira shqipfolëse.
Fjalën përshëndetëse në hapje e mbajti zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil Tole, i cili theksoi se ky panair përbën një moment reflektimi dhe promovimi, duke nënvizuar rolin e shkencës dhe të shkencëtarëve si pjesë integrale e zhvillimit në Shqipëri, Kosovë dhe në të gjithë hapësirën ku jetojnë shqiptarët.

Në ceremoninë e çeljes përshëndetën gjithashtu Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Justina Shiroka-Pula, dhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Arta Marku.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u shpreh se ky panair nuk është thjesht një mjedis i dijes, por një hapësirë që evidenton punën e studiuesve, e cila shpesh mbetet larg vëmendjes publike. Ajo e krahasoi kontributin e tyre me themelet që mbajnë në këmbë struktura të mëdha, duke theksuar rëndësinë e padukshme, por thelbësore të kërkimit shkencor.

Panairi do të qëndrojë i hapur me një program të pasur aktivitetesh deri më 24 prill 2026, ku Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të akordojë edhe çmimin për “Veprën më të mirë studimore”.

