Dita Botërore e Librit u kremtua në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit me të rinjtë e shkollës “Naim Frashëri”.
Në këtë ditë feste për librin, më shumë se kurrë, kemi nevojë t’u japim fëmijëve dhe të rinjve dashurinë për librin. Një fëmijë dhe një i ri që lexon është një fëmijë që ëndërron, krijon dhe sfidon në të ardhmen.
Poetet e njohura, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro si dhe shkrimtari Pol Milo ndanë eksperiencat e tyre të shkrimit si dhe sa i rëndësishëm është libri dhe leximi për shoqërinë.
Poetja Mimoza Ahmeti u shpreh se ka libra, të cilët të hapin optikën e shikimit dhe ka të tjerë, të cilët na e verbojnë atë, siç ishin librat në kohën e komunizmit. “Lexuesi duhet të gjejë librin e mirë dhe ta përqafojë atë”, tha ndër të tjera ajo.
Ndërsa, Rita Petro u shpreh se “në ditët e sotme ka shumë libra, por lexuesi duhet të shkojë dhe të gjej klasikët, pasi ata janë librat që e formësojnë, librat që e tronditin dhe një libër i mirë të trondit. Është e rëndësishme që të njihet dhe të ndiqet tradita , por njëkohësisht të bëhesh edhe ndryshimi, të kesh origjinalitetin tënd në të shkruar”.
Takimi u shoqërua edhe me lexime nga poezitë e poetëve të shquar si: Lasgush Poradeci dhe Azem Shkreli.