Aktivitete, Të rejat|

Shpërthim ngjyrash e drite, në sallën e Qendrës Kombëtare të Lbrit dhe Leximit, falë veprave të ekspozuara nga piktori Orges Shijaku.

Një përzgjedhje disi kaotike tablloshë, ku spikat larmia e ngjyrave dhe drita e veçantë, kanë ngrohur muret e Qendrës dhe sikur iu kanë dhënë jetë.

Mes këtyre krijimeve ndodhet edhe një vepër e të madhit Sali Shijaku, babait të Orgesit, si për të dëshmuar kontrastin e brezave. Hije të madhe lëshon emri i Sali Shijakut, po i biri sikur ka trashëguar sharmin, duke e çarë disi hijen, me dritën e ngjyrave të tij, pa fund.

Në një cepë të vogël të sallës, një eksponat me libra të kujton Sali Shijakun, veprën e tij, kujtimin dhe madhështinë. Kryesisht janë vepra me ilustrime rreth punëve të tij, por edhe të pikturës botërore, ndonëse nuk mungojnë edhe disa botime të vjetra, klasike të letërsisë botërore.

Orges Shijaku paraqet përmes tabllove larmi tematikash e frymëzimesh, nga portretet, pejsazhet, nudot e stilizuara, apo mistere dhe enigma moderniste. Të gjitha të ngjajnë me vargje plot ngjyra e dritë të një poezie, të derdhur në telajo. Kështu pëlqen dhe autori ta quajë ekspozitën e tij, duke shprehur dhe pasionin e tij të fshehtë për poezinë.

Qendra është shndëruar në një hapsirë ekspozimi ngjyrash, falë Orges Shijakut, që modestisht flet për krijimet e tij, shumë prej të cilave kanë parë edhe dritën e ekspozimit jashtë vendit, në Gjermani, apo Itali.

Modernizmi i Sali Shijakut duket se është trashëguar dhe mishëruar në krijimet e të birit, i cli nuk harron ta përmendë sa herë, që sheh e komenton ndonjë vepër të vetën.

Ai premton edhe pasurimin e ekspozitës (së shpejti) edhe me disa qeramika (dashuria e vërtetë e Orgesit) të cilat mbeten trashëgimi brezash e piktorëve të familjes Shijaku.

Comments are closed.

Close Search Window