Aktivitete, Të rejat|

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi dyert e saj sot për Klubin e Librit – “Mësojmë nga e kaluara” të AIDSSH, me diskutimin e studimit të autorit Albert Nikolla, “Antikultura e ’68-s në Shqipëri”.

Autori Albert P. Nikolla, njëkohësisht edhe anëtar i Autoritetit, tha se: “Liria është thelbësore për dinjitetin e njeriut, por është dramatikisht e dobët sepse është përherë në rrezik. Nuk je njeri nëse nuk ke liri, dhe kjo ishte dëshmia më tragjike e atij sistemi. U mundova të kap një element thelbësor, një dukuri që nuk është një ngjarje e shkëputur, por është një fakt social i njësuar, i hapur si me magji: liberalizimi.”

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, tha në fjalën e saj se: “Libri ‘Antikultura e ’68 në Shqipëri’ nga Albert Nikolla paraqet një analizë të thellë dhe të hollësishme të dinamikave kulturore, sociale dhe politike që karakterizuan periudhën e komunizmit në Shqipëri. Autori, me një qasje europiane dhe globale, e eksploron kundrakulturën si një fenomen që buron nga skutat e diktaturës, nga burgjet e saj dhe nga rezistenca e artit dhe kulturës ndaj censurës dhe propagandës. Një nga vlerat kryesore të këtij studimi është dëshira për të kuptuar dhe çuar përpara një narrativë që lidh Shqipërinë me rrymat e rëndësishme të mendimit kritik dhe lirisë së shprehjes në Evropë dhe në botë”.

Drejtoresha e Qendrës së Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, e cilësoi këtë botim si një kontribut të rëndësishëm në studimet kulturore dhe sociologjike, i cili i fton të rinjtë të njihen dhe të reflektojnë mbi historinë tonë të kaluar për të ndërtuar shoqërinë e së ardhmes.

Klubi i librit është një aktivitet i AIDSSH-së që mbahet në kuadër të ngritjes dhe fuqizimit të platformës digjitale “Mësojmë nga e kaluara” – me burime arsimore të hapura. Në të synohet diskutimi i librave që përshkruajnë ngjarje të jetuara nga diktatura komuniste, duke krijuar qasje qoftë tek dëshmitarë të kohës, qoftë në dokumenta të arkivës së AIDSSH. Libri i studiuesit Albert Nikolla është një burim dijesh që pasuron njohuritë tona mbi të kaluarën.

Comments are closed.

Close Search Window