Në kuadër të Tetorit të Librit me moton “Libri Afron Botën” dhe në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, Shoqata e Përkthyesve Shqiptarë mbajti sot Simpoziumin I Kombëtar të Përkthimit me temën “Përkthimi si diplomaci kulturore”.
Në fjalën e tyre përshëndetëse, drejtoresha e QKLL-së, znj. Alda Bardhyli, kryetari i SHPSH-së, z. Rexhep Hida, dhe kryetari i SHBSH-së, z. Petrit Ymeri, folën për rëndësinë e mbajtjes së këtij simpoziumi, rëndësinë që ka përkthimi për shkëmbimet kulturore midis gjuhëve dhe roli intelektual i përkthyesve shqiptarë.
Prof. Xhevat Lloshi, prof. Ilia Lëngu, prof. Shpëtim Çuçka, prof. Primo Shllaku dhe përkthyesit Saverina Pasho, Korab Hoxha, Krenar Hadëri, Nikolla Sudar, Ben Andoni, Valbona Nathanaili, Agim Doksani, Xhimi Lazri, Lindita Latifi, Eshref Ymeri, Diana Çuli diskutuan për tema të lidhura ngushtë me përkthimin si marrëdhënia shkrimtar-botues-përkthyes, mbi përkthimin politiko-shkencor, mbi praktikat e përkthimit të përdorura, veçoritë dhe parimet themelore të përkthimit, përkthimin letrar kundrejt përkthimit teknik në epokën dixhitale.
Prof. Ilia Lëngu, ndër të tjera, u shpreh se “Nisma e përbashkët e Ambasadës Franceze dhe QKLL-së për trajnimin e përkthyesve të rinj frankofonë për gati një vit ishte një përpjekje e mirëpritur dhe me vlerë, që duhet të ndërmerret edhe për përkthyes të rinj të gjuhëve të tjera”. Atelieja e përkthimit do të jetë një projekt që do të vazhdojë si një mekanizëm mbështetës, promovues dhe përsosës për përkthyesit. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të nisë po ashtu projekte të reja bashkëpunimi për gjuhët e tjera nga të cilat përkthehet, në bashkëpunim me ambasadat përgjegjëse.