Një ekspozitë me veprat e poetit Ali Podrimja u çel sot në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të “Vitit Ali Podrimja”, shpallur këtë fillimviti nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në një vit që përkon me 80-vjetorin e lindjes së poetit.
“Ekspozita paraqet rrugëtimin e krijimtarisë letrare të tij, që nis në vitin 1961 me botimin ‘Thirrje’, për të vijuar më pas me botime të shumta, ku Podrimja paraqitet në role të ndryshme, herë si autor poezish, esesh, prozash, herë si përgatitës veprash të ndryshme, si edhe jo pak herë edhe si redaktor. Një vend të veçantë në të zënë edhe vepra e tij, përkthyer në disa gjuhë të huaja, si: frëngjisht, anglisht, gjermanisht etj.”, tha nëndrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Etleva Domi.
Studiuesi Behar Gjoka foli për vlerat e vargjeve të Podrimjes në kohë, të cilat e ridimensionojnë rolin e tij.
Ju ftojmë ta vizitoni!