Në historinë e letërsisë shqipe, 13 tetori do të jetë një ditë që do të kremtohet gjithnjë, jo vetëm si dita e lindjes e dy figurave të rëndësishme të skenës letrare shqiptare, por edhe si një ditë që do të kujtojë rëndësinë që kanë poetët, vargjet, kujtesa në jetën e një kombi.
Do të doja t’i shihja sot, në fjalën time të shkurtër përshëndetëse, në këtë konferencë, ku do të referojnë njohës të mirë të letërsisë, thjesht si poetë, dhe pse proza ishte një tjetër mjeshtëri, ku si Migjeni ashtu dhe Agolli përkryen artin e tyre. Përfaqësues të dy kohëve të ndryshme letrare, ata janë fillimi dhe përsosja e modernizmit në poezinë shqipe, romantikë dhe revolucionarë në emancipimin që i dhanë shoqërisë me vargjet e tyre. Një tis melankolik bie shpesh mbi figurën e Migjenit, atij djaloshi elegant, i cili, me vargjet e tij, krijoi shtatin e një tradite të munguar në poezinë shqipe pas Luftës së Dytë Botërore.
Një poezi që shihte kah e ardhmja, duke konfiguruar përmes vargjeve të mjerimit, apo “shpirtit shtegtar”, një shtegtim ndryshe të poezisë shqipe, duke e çuar atë drejt niveleve të reja, të cilat më vonë do të ktheheshin në model për një brez që do të vinte, midis të cilëve edhe Dritëro Agolli.
Poezia, si dëshmi, është ajo që karakterizon vargjet e këtij poeti, të cilat dhe sot vijojnë të dëshmojnë e njëkohësisht të na orientojnë drejt horizonteve të reja.
Pjesë nga fjala përshëndetëse e drejtores së QKLL-së, në konferencën “Migjeni dhe Agolli – dy shkrimtarë me vështrimin nga e ardhmja”.
Dy poetët Dritëro Agolli dhe Migjeni po kujtohen sot në ditën e lindjes, me një konferencë shkencore në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë