Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Dituria dhe në kuadër të Ditës Botërore të Letërsisë, organizuan sot në mjediset e QKLL-së promovimin e vëllimit poetik “Përmasa e Katërt” nga Janis Ricos, një prej poetëve më të mëdhenj grekë, i përkthyer nga Romeo Çollaku.
Në aktivitet ishin të pranishëm botuesi Petrit Ymeri, i cili vuri theksin mbi rëndësinë e sjelljes në gjuhën shqipe të shkrimtarëve dhe poetëve që kanë shënjuar historinë e letërsisë botërore. Gjithashtu përkthyesi i veprës Romeo Çollaku foli për poetin dhe për punën përkthimore, ndërsa poetja Mimoza Ahmeti, shkrimtarja Diana Çuli dhe Kleo Lati folën për figurën e Janis Ricosit si poet dhe për elitarizmin e poezisë së tij.