Aktivitete, Të rejat|

Nga PRIMO SHLLAKU
Një juri pesëvetëshe e përbërë prej prof. Ymer Çirakut, Majlinda Nana-Ramës, Aleksandër Çipës, Koloreto Cukalit dhe Primo Shllakut si kryetar i saj, juri kjo e ngarkuar prej QKLL-së për përzgjedhjen dhe zgjedhjen e Poetit Laureat të Republikës së Shqipërisë për vitet 2026-2027, vendosi me shumicë votash që Laureate e këtij dyvjeçari të jetë poetja e mirënjohur, Rita Petro.
Rita Petro e filloi veprimtarinë e saj krijuese si brezni e mbasndryshimit të sistemeve, pra mbas viteve ’90 dhe qysh atëherë ajo ka qenë aktive, prodhimtare dhe madje edhe befasuese me krijimet e saj sa i përket tematikave, intencave letrare dhe tronditjes që ajo ka sjellë në botën e lexuesit shqiptar të mbarë trojeve.
Fillimisht ajo botoi në shtypin e shkruar ditor dhe më vonë filloi t’i përmblidhte krijimet e saj në vëllime.
Është autore e vëllimit poetik “Vargje të përfoluna” (1994), e vëllimit “Shija e instinktit” (1998), e vëllimit provokues “Vrima”, e vëllimit tjetër “Kënga e Turmës”, e një biografie shumë interesante me anë të së cilës ajo përpiqet ta shpjegojë temperamentin e saj letrar dhe që mban titullin “Lindur së prapthi”. Po kështu në panairin e nëntorit të këtij viti, ajo erdhi përsëri me një megapoemë të titulluar “Poema e mungesës”, e cila ka gjithkund tingëllime e përshkrime personale, të cilat shuhen në tekst për t’i lanë vendin meditimeve dhe konkluzioneve universale të autores.
Për spikamën e saj në fushën e letrave gjatë viteve ajo asht shpërblye me Çmimin kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skëndo”, më 2014.
Nji vit ma vonë, pra më 2015, ajo merr Çmimin e Karrierës për krijimtarinë poetike.
Kurse më 2025 asaj i akordohet Çmimi “Beratinus” me motivacionin “figurë frymëzuese për brezat e rij”.
Gjithashtu Rita Petro ka qenë e nominueme për çmim kombëtar më 2014 për vëllimin e saj poetik “Vrima”. Po ashtu më 2022 u nominue për çmim kombëtar për romanin e saj autobiografik “Lindur së prapthi”.
Së fundmi ka qenë e nominueme për çmimet europiane të letërsisë 2024 (EUPL) po për romanin “Lindur së prapthi”.
Rita Petro hyni në letërsi me vrull provokues si pjesë e atij brezi që kërkonte nji ndjeshmëni tjetër larg shabllonizmave moralizuese të metodës së realizmit socialit. Letërsia e saj erdh si nji letërsi antropocentriste që kishte në qendër njeriun si frymë, si epokëkrijues e jo si epokëpësues. Ajo derdhi pa hesap në letrat e saj nji sinqeritet që letërsisë shqipe ndoshta i kishte mungue gjithmonë. Zhveshja në publik e idhujve të dikurshëm, përdorimi i sinqeritetit si nji armë sa paqësore aq edhe tronditëse, çmitizimi i tabuve dhe çmistifikimi i anatomisë njerëzore dhe i hipostazës psikike që e mbështjell atë, duket se ka qenë intenca ma e fortë dhe ma suksesplotë e saj në rrjedhë të dhjetëvjetëshit të dytë të këtij shekulli. Rita mbetet nji poeteshë e erotizmit dhe na duket se kësisoj ajo kërkon të plotësojë nji mungesë të madhe të letrave shqipe të cilat, megjithë adhurimin e shfaqun për folklorin, në këtë pikë qëndruen larg tij me pretekste moralistike dhe jo estetike.
Përveç këtyre Rita Petro asht nji biznesmene e suksesshme e botës së botimit. Ajo mbetet e lidhun me librin, me botimet e teksteve shkollore, përkthimet e përkthyesit. Ka qenë e mbetet nji nga poetet ma aktive në përhapjen e librit, në zhvillimin e diskurseve publike lidhë me problemet ma aktuale të letërsisë, tue dhanë kontribute të pazakonshme në promovimin e librit dhe të letërsisë bashkëkohore të asaj vetë dhe të kolegëve të saj. Për të gjithë ne që merremi me shkrime, Shtëpia botuese ALBAS ka qenë e mbetet nji strehë e dashun leximesh, diskutimesh me frymë kritike dhe përfitimesh të bukura estetike.
E gëzofsh, Rita, titullin e Laureates!

Comments are closed.

Close Search Window