Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Autoriteti i Dosjeve organizuan në ditën e sotme aktivitetin me temë “Libri i Burgut”, i cili pati si qëllim kryesor sjelljen në kujtesë të një letërsie, që është pjesë e letërsisë së madhe shqipe, atë të shkruar në burg prej intelektualëve të burgosur, apo të internuar përgjatë viteve të komunizmit.
Fjalën hapëse në aktivitet e mbajti drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, e cila, ndër të tjera, u shpreh: “Ashtu si në të gjitha vendet e tjera ish-komuniste, letërsia e burgut ishte një letërsi e pasur, që u shkrua në Shqipëri paralel me letërsinë e sociorealizmit. Ajo solli një modernitet dhe bashkëkohësi në letrat shqipe. Por dhe sot, gati tri dekada pas rënies së komunizmit, te kjo letërsi ende ka rënë mjegulla. Duhet një projekt konkret për të evidentuar veprat dhe autorët e një letërsie, e cila vijon të jetojë në dorëshkrime, për ta çuar te lexuesi. QKLL-ja do të mbështesë studiuesit dhe botuesit që do të botojnë librin e burgut”.
Zoti Simon Mirakaj, nga Autoriteti i Dosjeve u shpreh: “Duke cituar një thënie nga Dostojevski, se ‘Lumturinë kërkoje edhe në dhimbje’, dua të them se të burgosurit nuk është se e gjetën lumturinë, por atij terri i dhanë pak dritë. Diktaturat nuk mund të qëndrojnë bashkë me inteligjencën, ndaj e para u godit inteligjenca. Nëpërmjet këtyre veprave të shkruara, ne dhe të tjerët njohim tragjedinë që ka ndodhur, padrejtësinë që ka ndodhur”.
Profesoresha Anila Mullahi solli në vëmendje veprën e Kasem Trebeshinës dhe citoi, ndër të tjera, një pohim të tijin kur u pyet për periudhën e burgut: “Në burg kam qenë fizikisht, shpirtërisht asnjëherë nuk kam qenë, as në burg, as i izoluar. Nuk kam qenë në burg. Në burg kanë qenë ata. Me mendjen e tyre, me mendimet e tyre. Jo unë, unë kam qenë i lirë”. Po këtë ide ka shprehur edhe profesori Leka Ndoja, i cili, ndër të tjera, tek rrëfeu mbi këtë lloj letërsie që u krijua në Shqipërinë e asaj kohe, tha se “Kujtesa është pjesë e së drejtës. Duke u marrë me kujtesën, ne merremi me një aspekt të së drejtës. Ne të gjithë kemi qenë në një burg, në një burg hermenautik, në një burg metafizik”.
Pjesë, gjithashtu, e aktivitetit me fjalën e tyre qenë edhe Kolec Çefa, i cili rrëfeu për kujtimet e tij me Padër Pal Dodajn, Padër Pashko Bardhin apo Padër Vinçens Prenushin dhe kontributin e tyre në letra, studime dhe përkthime. Të pranishëm me fjalën e tyre ishin edhe Marsel Hila dhe shkrimtarja Vera Bekteshi, ndërsa Kardinali Ernest Troshani dhe shkrimtari Visar Zhiti dërguan fjalën e tyre përshëndetëse nëpërmjet video-regjistrimit.
FOTOT: Hamerald Agolli