Aktivitete, Të rejat|

Dita e sotme shënoi ndalesën e tretë të ciklit të takimeve me fëmijët “Ora e përrallës” një organizim i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, që nisi javën e parë të qershorit.

“Ora e përrallës” kësaj here kishte në bosht ciklin e librave Gaqo Bushakës që kanë si personazh qendror Çufon e dashur nga breza të tërë fëmijësh.

Çufoja, Bubi Kaçurrel dhe personazhet e tjera të librit, iu paraqiten fëmijëve të ciklit parashkollor dhe atij fillor si personazhe libri e njëherësh si personazhe filmi.

-Takimi i parë u zhvillua në Kinema “Drita”, duke vijuar më pas me fëmijët që janë pjesë e shkollave verore të “At Zef Pllumi” dhe “Skënder Çaçi”.

-Gjatë këtyre takimeve, një dokumentar i përmbledhur i njohu fëmijët me shkrimtarin Gaqo Bushaka dhe me rrëfimet e tij për personazhet dhe procesin krijues të tyre.

-Ilustrimet e Çufos dhe Bubit Kaçurrel dhe piktorja Safo Marko, ishin po ashtu pjesë e zbulimit për fëmijët.

-Një nga momentet veçanërisht të pëlqyera të aktiviteteve ishte shfaqja e filmit të animuar “Ndodhitë e Çufos”, me skenar të Gaqo Bushakës, regji dhe vizatime të Vlash Drobonikut, pjesë e fondit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

-Takimet vijuan me lexime të fragmenteve të përzgjedhura nga librat e serisë së Çufos, nga vetë fëmijët dhe me komentet e tyre për ngjarjet plot humor të librave.

-Pjesë veçanërisht argëtuese për fëmijët ishte momenti kur ata u shndërruan vetë në artistë të vegjël duke zgjedhur të vizatojnë personazhet, të nxitur herë nga ilustrimet e Safo Markos e herë nga vizatimet e Vlash Drobonikut, e të tjera herë duke zhvilluar fantazinë e tyre për t’i rikrijuar imazhet e Çufos dhe të Bubit Kaçurrel.

Përmes këtij cikli aktivitetesh, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit synuan të ndërthurin fjalën me gjuhën pamore, duke krijuar për fëmijët një përvojë të pasur kulturore, edukative dhe argëtuese, që nxit imagjinatën, krijimtarinë dhe dashurinë për librin.

“Ora e Përrallës” është gjithsesi vetëm në stacionin e parë që do të vijojë.

Comments are closed.

Close Search Window