Me pijen e tij të preferuar Kalvados, imazhet që udhëtojnë në kohë të Roland Tashos, Robert Shvarc, njeriu që i dha aq shumë kulturës shqiptare, me shqipërimet e kryeveprave të letërsisë botërore, u kujtua sot, mes miqsh e familjarësh, në hapësirat e Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
“Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta përktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, m’u desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar”.
Robert Shvarc