Me rastin e 140-vjetorit të Fan Noli, një prej figurave më poliedrike të shtetit shqiptar dhe letrave shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me praninë e Ministres së Kulturës, Znj. Elva Margariti, organizoi aktivitetin në nderim të tij ku morën pjesë personalitete të letrave dhe artit si zoti Xhevat Lloshi, gjuhëtar dhe studiues; zoti Eduart Makri, Drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, zoti Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare; zoti Vaso Tole, Nënkryetar i Akademisë së Shkencave; zoti Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Kombëtar; zoti Ilia Lëngu, përkthyes, të cilët folën për figurën shumëplanëshe të Fan Nolit dhe kontributit të tij të çmuar në letërsi, politikë etj.
Aktiviteti u vijimësua nga ekspozita me tituj librash origjinalë e të përkthyer nga Fan Noli, si dhe monografi dhe numra periodikësh ndër vite – ekspozitë kjo e mundësuar dhe kuruar nga zoti Mehmet Gëzhilli.