Dita Botërore e Gjuhës Arabe u kremtua sot me aktivitetin: “Gjuha Arabe: një urë mes civilizimeve”, organizuar në hapësirat e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, bashkëpunim I Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Në aktivitet ishin të pranishëm dhe përshëndetën me kumtesat e tyre:
Z. Faisal Hifzi, Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë,
Prof.Dr.Esmeralda KROMIDHA, Dekan I Fakultetit të Gjuhëve të Huaja
Dr. Jahja bin Xhuneid – Studiues i Civilizimit Islam dhe Dorëshkrimeve
Dr. Hasan Al Na’mi – Profesor Letërsisë Moderne në Universitetin e Mbretit Abdul Aziz
Isa Memishi, Profesor i Gjuhës Arabe në Universitetin e Prishtinës
Yahya bin Qassem Sebai- Shkrimtar Romancier Saudit
Ramiz Zekaj, Studiues i Orientalistikës dhe Jurisprudencës Islame
Prof. Asoc. Dr Adriatik DERJAJ,Shef i Departamentit të Gjuhëve Sllavo-Ballkanike
“Qytetërimi arab është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, një urë e rëndësishme kulturore që vendosi lidhjet mes trashëgimisë së botës antike me qytetërimin europian në shekujt XII – XIV. Dijetari i Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri, në veprën e tij “Qytetërimi Islam”, do të shprehej se, Europa u njoh me Platonin, Aristotelin, Ptolemeun, Euklidin, vetëm prej veprave të përkthyera nga gjuha arabe prej dijetarëve islamë. Kjo ditë duhet të shërbejë pikërisht edhe si një ditë sensibilizimi mbi mënyrat sesi kulturat tona duhet të gjejnë urat e bashkëpunimit që letërsia e botës arabe të gjejë lexuesin shqiptar dhe anasjelltas. Jam e bindur se të dy kulturat tona kanë se çfarë i ofrojnë njëra-tjetrës aq më tepër që magjia e përkthimit do të bëjë të mundur leximin e kodeve shpirtërore të dy botëve tona”, tha ndër të tjera në fjalën e saj Drejtoresha e QKLL-së Alda Bardhyli