111-vjetori i lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar Nënë Terezës, u kremtua me aktivitetin « Nënë Tereza, Kujtesa, Kombi » në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Ky aktivitet u shoqërua me një ekspozitë me 400 ekzemplarë librash, që autorë të ndryshëm i kanë kushtuar jetës së saj. Të pranishëm ishin Imzot Dom Gjergj Meta, ish-ambasadori Dashnor Dervishi, botuesi dhe autori Mehmet Gëzhilli, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi, poetja Mimoza Ahmeti, etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 shtator, që shënjon dhe 5-vjetorin e Shenjtërimit të saj.
“Kur vendosëm të kujtonim përmes kësaj ceremonie modeste dhe ekspozite me libra që autorë të ndryshëm i kanë kushtuar figurës së Nënë Terezës, pyetja që m’u orvat në mendje ishte: Në kemi arritur të kuptojmë deri në fund Nënë Terezën?
Të kuptosh do të thotë të bëhesh i ndërgjegjshëm mbi dashurinë për veprim. Stili i punës së saj ishte fjalë pak dhe shumë punë dhe veprim. Ndoshta ky stil është më shumë se asnjëherë i domosdoshëm te ne sot, pasi ashtu si ajo shprehej “Shqipëria bëhet duke punuar së bashku””, u shpreh drejtoresha e QKLL-së Alda Bardhyli.