Aktivitete, Të rejat|

Nëntori është muaji që më shumë se kushdo tjetër na kujton historinë.
 
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, zhvilloi sot një takim-dialog me historianë me në fokus librin historik, raportin e tij me lexuesin, tregun, përkthimin në gjuhë të tjera, apo dhe vetë autorin. 
 
“Duke e parë librin shqip si një të tërë, ne po përpiqemi t’u japim zë edhe fushave që kanë qenë shumë pak në fokusin jo vetëm të institucioneve, por dhe të kritikës, botuesve, siç janë botimet historike. 
 
Në biseda të ndryshme që kemi pasur me profesorë, studiues, gjithnjë ka dalë në pah domosdoshmëria e rritjes së ndjeshmërisë ndaj kësaj kategorie botimesh, të mbështesim autorëshkruesit e historisë, të ndikojmë në promovimin e tyre, pasi dhe promovimi është një hallkë tjetër që mungon. 
 
Mendoj se është shumë e rëndësishme që të rrisim kulturën e leximit në përhapjen e vlerave identitare që mbartin botimet historike, sidomos te brezi i ri.
 
QKLL-ja do të krijojë një fond të posaçëm mbështetjeje për albanologjinë, por dhe do t’i japë më shumë hapësirë, përmes kooperimeve ndërkombëtare, që libri historik e albanologjik shqiptar të jetë pjesë e panaireve, apo aktiviteteve ndërkombëtare te Librit, ku merr pjesë Ministria e Kulturës. 
 
Bashkë me ju mendoj se është e rëndësishme nisja e bashkëpunimit për hartimin e nje strategjie kombëtare në fushën e identitetit dhe historisë”, tha Bardhyli. 
 
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit me Akademinë e Studimeve Albanologjike, Departamenti i Historisë, në mjediset e Muzeut Kombëtar Tiranë, ku morën pjesë Prof. Dr. Hamit Kaba, Prof. Dr. Mariglen Verli, Prof. Ass. Sonila Boçi, Prof. Ass. Ledia Dushku, Dr. Dorian Koçi.

Comments are closed.

Close Search Window