Në kuadër të 120-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit organizuan tryezën e rrumbullakët me temë: “120 vjet me Naim Frashërin”.
Tryeza e rrumbullakët shkencore u fokusua në rolin dhe veprimtarinë e Naim Frashërit, ligjëruesit në tryezën shkencore ishin:
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, referoi mbi temën: “Naim Frashëri dhe çështja pellazgjike” duke u shprehur se: “Naim Frashëri cilësohet si poeti kombëtar i shqiptarëve, për kontributin e paçmuar pasi vepra e tij jo vetëm që u shtri në disa gjini letrare, por ushqeu fidanishtet e para të shqiptarizmës. Një aspekt pak i njohur, është pasqyrimi në letërsinë e poezinë e tij të mitit pellazgjik dhe prejardhjes së shqiptarëve prej tyre. Naim Frashëri përfaqëson një nga figurat më të mëdha të kombit, pasi vlera e tij për kulturën shqiptare është e patjetërsueshme dhe madhështore”.
Prof. Dr. Persida Asllani referoi mbi temën “Mendime rreth librit të Profesor Sabri Hamitit”, duke u shprehur se: “Kjo është një vepër që del pikërisht në përkujtim të vdekjes së Naim Frashërit. Ky libër bashkon histori të leximeve, histori personale të studimit, të dedikimit të vazhdueshëm në veprën e Naimit. Një studim mbi poetikën mbi tekstin dhe natyrisht edhe mbi leximin e të tjerëve mbi Naimin, atë pasuri që shumë studiues lanë për ne sot, të cilat shërbejn si thesare për leximin e Naimit”.
Prof. Dr. Sabri Hamiti në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh se: “Kam kënaqësinë të jem sot këtu, në mesin e njerëzve të cilin e duan e njohin dhe e adhurojnë Naimin. Kam dashur të analizoj veprën poetike të Naimit, i cili vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve”.
Z.Andrea Llukani referoi mbi temën: Mendime rreth vjershës të Naim Frashërit “Përpara Krishtit”.