U shpall më datë 04.02. 2025, në mjediset e Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”, “Viti Maks Velo”, një organizim në bashkëpunim mes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Muzeut Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe” dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Të katërt institucionet nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi ku ndër pikat më të rëndësishme të saj është bashkëpunimi në realizimin e aktiviteteve të tjera gjatë 2025 në nder të figurës së Maks Velos.
“Viti Maks Velo” do të risjellë në vëmendje punën intelektuale të artistit të njohur Maks Velo, punimet e tij letrare (poezi, prozë) si dhe jetën e tij në diktaturë (hapja e dosjes).
Kjo nismë u ndërmorr në 90 vjetorin e lindjes dhe 15 vjetorin e ndarjes nga jeta të VelosNë ketë ceremoni rasti i vlerësua figura e shumanëshme e Maks Velos, angazhimi e kontributi i tij në letërsi, pikturë, arkitekturë dhe shoqëri, si aktivist i shquar. Në fjalën e saj në aktivitet drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli u shpreh:
“Maks Velo, një artist i papërsëritshëm, një mendimtar i guximshëm dhe një zë i lirë në kohëra të vështira.
Ai ishte një krijues që nuk ndaloi kurrë së sfiduari kufijtë e artit dhe mendimit.
Pikturat e tij, të cilat shpesh reflektonin ngjyrat e shpirtit të tij, flisnin për jetën, për dhimbjen dhe për shpresën.
Arkitektura e tij, ndonëse shumë prej veprave të tij u ndaluan apo u shkatërruan, mbeti një simbol i së bukurës që ai e kërkonte me aq përkushtim.
Por Maks Velo ishte më shumë sesa një artist. Ai ishte një zë i fortë i lirisë në një epokë kur liria ishte e ndaluar.
Ai vuajti burgimin dhe persekutimin, por asnjëherë nuk iu nënshtrua heshtjes.
Në çdo veper të tij, në çdo rresht të shkruar, Maks Velo na tregoi se arti dhe fjala janë arma më e fuqishme kundër padrejtësisë.
Ne e kujtojmë Maks Velon jo vetëm për atë që krijoi, por për atë që përfaqësoi – një shpirt të pavarur, një njeri që besonte në fuqinë e së vërtetës dhe të bukurës. Ai është një frymëzim për çdo artist, intelektual dhe qytetar që kërkon të ndërtojë një botë më të drejtë dhe më të lirë“.