Ambasadori i Kosovës, ShTZ Skënder Durmishi, vizitoi sot Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ky vit është shpallur nga QKLL-ja, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës si “Viti i Ali Podrimjes”, në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së poetit.
Aktivitetet e përbashkëta që do të shënjojnë këtë vit të rëndësishëm kulturor, si edhe krijimi i hapësirave të dialogut mes autorëve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë, gjetja e formave që do ta bënte librin shqip më të pranishëm në hapësirat ku ka shqiptarë, ishin në fokus të bisedës.
Bashkë me ambasadën e Kosovës në Tiranë, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojnë aktivitetin e përbashkët kushtuar poetit Xhevdet Bajraj, i cili u nda nga jeta një javë më parë, më 26 korrik.