«Përmbledhja me poezi “Gjashtëmbëdhjetë udhë përpjetë malit” e poetit suedez Kristoffer Leandoer, është e veçantë, sepse është shkruar në suedisht nga një poet suedez i frymëzuar nga malet shqiptare. Jeta i ka ardhur e tillë që të takojë malet tona:
Çdo mëngjes zgjohem dhe jashtë dritares
mali është një tjetër
Tashti kjo për lexuesin shqiptar nuk është ndonjë çudi e madhe. Poetët na i kanë kënduar maleve gjithmonë. Nga Naimi “O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë”, Fishta “Ehu! ju malet e Shqypnís/ N’ t’ cillat strukë shqypja e lirís” te Kadare “Përse mendohen këto male të larta/ Ndërsa dielli tutje perëndon në xhade?”. Por për një poet suedez është një dukuri e veçantë. Suedia është vend i sheshtë më së shumti, horizonti shtrihet poshtë deri aty ku të mbërrin syri. Prandaj mund ta përfytyroj sa përshtypje i ka bërë poetit suedez ky zgjim i përditshëm përballë një mali. Edhe kur Edith Södergran shkruan për malin, e ka gjithnjë mbas shpine, jo përballë. Kjo është lëvizja për të cilën fola më lart, poeti që lëviz vetë drejt lexuesit, për më tepër dëshiron t’ua bëjë dhuratë në shqip këtë përjetim “një mundësi për të falënderuar miqtë e mi shqiptarë për bujarinë e tyre ndaj një të huaji dhe një rast i mirë për të ndarë përvojën time me vendin e tyre të bukur në gjuhën e tyre të bukur.”
Entela Tabaku
Kristoffer Leandoer, poet, një personazh i rëndësishëm i kulturës suedeze, promovoi në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit librin e tij të parë në gjuhën shqipe “Gjashtëmbëdhjetë udhë përpjetë malit”. Një libër i frymëzuar nga jeta e tij në Shqipëri, nën metaforën e malit, prezanton para lexuesit shqiptar një nga poetët e rëndësishëm bashkëkohorë sot, i cili ravijëzon figura dhe të fton në meditim.
Libri është përkthyer në shqip nga poetja Entela Tabaku dhe botuar nga Pegi.
Për poezinë e Leandoer folën poetët Besnik Mustafaj, Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, shkrimtari Loer Kume.